Ministri Krasniqi: Përfshirja e të gjithëve në sport, një vlerë humane
13.06.2012
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, vlerësoi si shumë të rëndësishëm angazhimin për funksionalizimin e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, duke premtuar me këtë rast mbështetjen e plotë të MKRS-së për këtë gjë. Ai priti sot në një takim drejtuesit e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, të prirë nga kryetarja, znj. Njomza Emini.
Ministri Krasniqi tha se përfshirja e të gjithë njerëzve pa dallim në aktivitete dhe gara sportive është një hap shumë i rëndësishëm për vendin, është një vlerë humane, dhe mu për këtë ai tha se MKRS e ka në program të saj mbështetjen e fuqishme për federatat për sporte të njerëzve me nevoja të veçanta, e po ashtu edhe në kuadër të ndryshimeve të Ligjit për Sport është përfshirë edhe Komiteti Paraolimpik. Ministri kërkoi nga ta që të jenë çdo herë të bashkuar dhe të mos shohin rivalitet mes vete, por aktivitetin dhe garat në mënyrë sa më cilësore të organizuara ti kenë në plan të parë. Ai vlerësoi lart edhe angazhimin e Komitetit Paraolimpik për organizimin e Mini-olimpiadës për njerëzit me nevoja të veçanta, të cilën e ka mbështetur MKRS-j.
Nga ana e saj, Kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, znj.Njomza Emini, falënderoi ministrin Krasniqi për mbështetjen e vazhdueshme. Ajo bëri një prezantim të aktiviteteve që kanë pasur deri më tash si dhe foli për planet në të ardhmen. Emini tha se përveç organizimit të brendshëm, sa më masiv dhe cilësor, po punojnë edhe në kuadër të ndërkombëtarizimit, i cili tha se do të jetë i koordinuar edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe gjithë mekanizmat tjerë shtetërorë sportivë në Kosovë.






+.jpg)





