Ministri Krasniqi: Kosova do të nderojë përjetësisht gjithë individët dhe organizatat që ndihmuan Kosovën në kohërat më të vështira

12.06.2012

Populli i Kosovës përherë iu është falënderues të gjithë njerëzve dhe organizatave nga e mbarë bota që në momentet më të vështira kanë qëndruar pranë nesh. Kështu tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, në ceremoninë e zbulimit të monumentit nderues për të gjithë personalitetet dhe organizatat që kanë kontribuar për lirinë  e Kosovës nga viti 1990 deri në vitin 2012. Ngritja e këtij monumenti ka qenë iniciativë e organizatës “Ponte della solidarieta Kosova”. Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe ambasadori i Italisë në Kosovës, z. Michael Giffon, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Bajram Rexhepi, si dhe personalitete vendore e ndërkombëtare nga fusha e artit, politikës, shkencës dhe sportit.

Duke folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Krasniqi tha se kjo shenjë falënderuese është ndoshta më e pakta që Kosova mund të bëjë për këta njerëz.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të kujtojë përherë kontributin e secilit individ dhe sakrifica e tyre do të jetë një udhërrëfyes për punën tonë. Ne jemi krenarë me gjithë këta miq, shumica prej të cilëve edhe pas luftës por edhe në ditët e sotme, kur kemi bërë 4 vjet shtet, janë pranë nesh për të na ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e një shteti demokratik dhe shembull në rajon”, tha ministri Krasniqi. Ai deklaroi se tashmë Kosova falë përkushtimit të njerëzve dhe miqve të saj ka hyrë sigurt në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Republika e Kosovës ka ecur shumë në 13 vjet dhe ne duhet të jemi krenarë me atë që kemi ndërtuar. Ne i kemi treguar botës se jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një të ardhme ku mbretëron paqja mes popujve dhe ku i gjithë angazhimi është për jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe për një rrugëtim të sigurt drejt Bashkimit Evropian. Padyshim se kemi shumë sfida, sikur që kanë edhe shumë shtete tjera, por Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar të kryejë më shumë përgjegjësi detyrat e veta dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të rinjtë dhe fëmijët tanë”, pohoi  ai.

Në fjalën e tij, Ambasadori italian, z.Michael Giffoni, i cili është njëri nga personalitetet që ka ndihmuar për shumë vjet Kosovën, tha se ndjehet vërtetë i nderuar që ka pasur shansin të jetë pjesë e zhvillimeve në faza të ndryshme në Kosovë. 

Ai shtoi se ky monument reflekton një histori të vecantë për popullin e Kosovës dhe se paraqet atë shpirtin human të individëve nga e mbarë bota për të sjellë paqe kudo.

Prapa