Ministri Krasniqi priti në një takim futbollistin kosovar që luan në Angli, Shefki Kuqin
12.06.2012
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim futbollistin kosovar Shefki Kuqi, që është pjesë e ekipit të ligës së dytë në Angli, Oldham Athletic, si dhe mbron ngjyrat e kombëtares së Finlandës. Kuqi ka qenë disa herë pjesë e ekipeve të suksesshme të Premiere League, si Newcastle United, Blackburn Rovers.
Ministri Krasniqi e përgëzoi futbollistin Kuqi për sukseset e arritura deri më tash dhe e vlerësoi atë si një shembull për shumë futbollistë të rinj kosovarë që tashmë janë bërë pjesë e skuadrave të mëdha evropiane.
Ai vlerësoi se me sukseset dhe paraqitjet e Kuqit janë ndjerë krenarë gjithë qytetarët e Kosovës dhe se shumë të rinj janë inspiruar nga ai. Kosova, tha ministri, ka ambasadorët më të mirë pikërisht futbollistët si Kuqi e shumë tjerë, të cilët me talentin dhe personalitetin e tyre kanë përfaqësuar para botës imazhin e vërtetë të Kosovës. Gjatë takimit, ministri Krasniqi e njoftoi futbollistin nga Vushtrria për të arriturat në sport si dhe për planet në të ardhmen. Ai tha se vendimi i FIFA-s për lejimin e ndeshjeve miqësore ka kthyer shpresat tek të rinjtë dhe motivi për gara është shumë më i madh.
Nga ana e tij, futbollisti Kuqi falënderoi ministrin Krasniqi për pritjen dhe shprehi vlerësimet e tij për qasjen serioze që tashmë është krijuar nga institucionet shtetërore karshi futbollistëve dhe sportit në përgjithësi. Futbollisti Shefki Kuqi premtoi se do të jetë çdo herë i gatshëm të ndihmojë futbollin e Kosovës, duke sjellë përvojën që ka nga Anglia dhe Finlanda.











_505.jpg)
_505.jpg)

