Ministri Krasniqi: Minigolfi një shembull, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, për organizim të mirëfilltë

20.04.2012

Një ditë pas anëtarësimit të Federatës së Minigolfit të Kosovës (FMGK) në Federatën Evropiane të Mingolfit, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, ka pritur në një takim presidentin  e Federatës Ndërkombëtare të Minigolfit, z. Gerhard Zimmermann dhe Sekretarin e Përgjithshëm të FMK-së, z.Lavdim Zylfiu. Ministri Krasniqi e vlerësoi si lajm shumë të mirë për minigolfin, por edhe sportin në përgjithësi, anëtarësimin e FMGK-së në Federatën Evropiane të Minigolfit. Ministri Krasniqi e falënderoi z.Zimmermann për ndihmën që i ka dhënë FMGK-së që të arrijë anëtarësim të plotë në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë të këtij sporti, e po ashtu edhe në aspektet tjera, si në organizim të federatës, klubeve dhe garave. Ministri vlerësoi punën që ka bërë FMGK-ja dhe entuziazmin e drejtuesve të saj dhe gjithë entuziastët e këtij sporti. Ai vlerësoi se do të punojnë që ky sport të masivizohet në Kosovë, në mënyrë që vendi ynë të jetë një adresë e rëndësishme e minigolfit. MKRS, tha ministri, do të vazhdojë të përkrahë FMGK-në, në organizim të garave si të karakterit vendor por edhe ndërkombëtar. Për ne është ndjenjë e mirë, tha ministri Krasniqi, që Kosova është një nga vendet e vetme në rajon që ka të organizuar mirë edhe këtë sport.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtarë të Minigolfit, z.Gerhard Zimmermann, falënderoi ministrin për pritjen dhe shprehu kënaqësinë që është për herë të parë në Kosovë. z.Zimmermann tha së është mjaft inkurajuese që në Kosovë ka entuziastë të këtij sporti dhe shtoi se shpreson së vendet tjera të rajonit të marrin shembull nga Kosova. Ai premtoi se do të vazhdojë të ndihmojë minigolfistët kosovarë për një organizim edhe më të mirë në të gjitha sferat.

Ndryshe, nesër, (e shtunë 21.04.2012), Përfaqësuesja e Kosovës në Minigolf do të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kroacisë. Ndeshja do të zhvillohet në fushën e minigolfit “Prishtina”. 

Prapa