Ministri Krasniqi takoi kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, z. Marius Vizer

20.04.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, ka takuar të enjten në mbrëmje, në Budapest, kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, z. Marius Vizer, dhe presidentin e Unionit Evropian të Xhudos, z. Sergey Soloveychik.

Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, z. Agron Kuka, xhudistja Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, z. Driton Kuka. Në këtë takim është pranuar edhe zyrtarisht certifikata e pranimit të Federatës së Xhudos së Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, akt ky që ka ndodhur më 10 prill. Ministri Krasniqi ka falënderuar z. Vizer për kontributin e madh që ka dhënë në zhvillimin e sportit të xhudos në Kosovë, e sidomos në pranimin me të drejta të plota të Federatës së Xhudos së Kosovës në institucionin më të lartë botëror të këtij sporti.

Ministri vlerësoi se kontributi i z. Vizer është një shembull unik edhe për shumë institucione të tjera sportive botërore që vazhdojnë të injorojnë sportistët kosovarë. Ai vlerësoi po ashtu ndihmën e madhe që po jep z. Vizer në synimin e Kosovës që të ketë Majlinda Kelmendin në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Ministri theksoi se pranimi në IJF është edhe një rezultat i një angazhimi të madh të drejtuesve të Federatës së Xhudos së Kosovës, e mbi të gjitha sukseseve të mëdha që ka arritur Majlinda Kelmendi.

Ndërkohë, ministri Krasniqi e njoftoi z. Vizer me hapat tjerë konkretë që po bëhen për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike “Londra 2012”.  Në javët në vazhdim, ministri Krasniqi tha se do të ketë edhe shumë takime e konsulta me shumë njerëz që janë të përfshirë në këtë ngjarje të madhe sportive. Kërkesa e Kosovës, tha ai, është që nëse Majlinda Kelmendi nuk mund të përfaqësohet me flamur të shtetit të saj të paraqitet si sportiste e pavarur. Ministri shfaqi shpresën se më 23 dhe 25 maj, Kosova do të marrë lajm të mirë nga Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që  në këto data edhe mban takim në Quebec të Kanadasë. I pranishëm në Quebec pritet të jetë edhe ministri Krasniqi.

Nga ana e tij, kryetari i IJF-së, z. Marius  Vizer, tha se për të ka qenë dhe është një ndjenjë e veçantë që ka mundur të japë kontribut në hapjen e rrugëve për një sportiste shumë të talentuar, por edhe njëkohësisht për një vend të ri që ka shumë potencial për sportin në përgjithësi. Ai vlerësoi angazhimin që ka bërë ministri Krasniqi, KOK-u dhe Federata e Xhudos së Kosovës, në procesin e ndërkombëtarizimit, e sidomos për pjesëmarrje në LO “Londra 2012”. Z. Vizer premtoi se do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën deri në realizmin e këtij qëllimi, por edhe në fusha tjera, sidomos në përmirësim të kushteve për punë për xhudistët kosovarë.

Ministri Krasniqi dhe kryetari i IJF-së, z. Vizer, u pajtuan të jenë në kontakte të vazhdueshme për të arritur çështjen që Majlinda Kelmendi të sensibilizohet sa më shumë dhe që në fund të arrihet qëllimi, pjesëmarrja e saj në “Londra 2012”, e ku të dytë shpresojnë se ajo do të sjellë medalje. 

Prapa