Ministri Krasniqi: Projektligji për Teatrot i jep frymë jetës teatrore në Kosovë

28.02.2012

Ai i bëri këto komente gjatë dëgjimit publik për këtë Projektligj, që e organizoi Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës. Në këtë debat kanë marrë pjesë shumë regjisorë, dramaturgë, aktorë dhe në përgjithësi njërës të artit dhe letërsisë.

Në fjalën e tij, ministri Krasniqi tha po ashtu se është e kuptueshme që asnjë ligj nuk mund të jetë ideal, por shtoi se për dallim nga ligji aktual dhe draftet tjera, ky draft i jep frymë jetës teatrore në Kosovë.

Ai tha se ky draftligj është konsultuar edhe me komunitetin artistik, pasi që drafti para se të miratohej në qeveri iu ishte dorëzuar mbi njëqind artistëve dhe ishin marrë komente të ndryshme.

Fakti që me këtë ligj, depolitizohet  teatri, Ministri Krasniqi u mbështetët në atë se për dallim nga e kaluara, ministri më nuk e ka të drejtën e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm apo edhe të udhëheqësit artistik, siç e parasheh drafligji, por që kjo çështje i mbetet Këshillit Drejtues. Ai përmendi se më këtë ligj qartësohen shumë më mirë kompetencat e secilit që ka një rol mbi teatrin dhe secili do të japë përgjegjësi për punën e vet, në këtë rast udhëheqësi artistik ka kompetenca të plota që në bashkëpunim më Këshillin Drejtues të hartojë reportuarin, drejtori i përgjithshëm me financat dhe çështje tjera që nuk ndërhyjnë në punën e udhëheqësit artistik, ndërkaq Këshilli Drejtues është një organ këshillëdhënës që lidhet kryesisht më punën artistike. Krijimi i hapësirës më të madhe për dramën kombëtare, ministri Krasniqi tha se ka qenë një nevojë dhe kërkesë e komunitetit, në mënyrë që të shtohet prezantimi i krijimtarisë së mirëfilltë të artistëve vendorë në Teatrin Kombëtar dhe që ajo të ketë një prezantim sa më të mirë edhe në vende të tjera.

Ai tha se ky ligj po ashtu parasheh edhe themelimin e teatrove tjera nacionale, që lidhen me fusha tjera të krijimtarisë artistike. Ministri shtoi po ashtu se me këtë ligj rregullohet edhe mënyra e financimit dhe e menaxhimit të teatrove të qyteteve, që ka qenë një kërkesë e kahershme e artistëve që vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Në funksion të depolitizimit të teatrit si dhe në funksion të mbështetjes së teatrove të qytetit, ministri ka propozuar që përveç ndryshimeve tjera që vijnë si rezultat i kërkesave të artistëve, të futet edhe neni që “parasheh një kod të veçantë buxhetor për teatrot, në mënyrë që t’u jepet mundësia teatrove që mjetet e tyre financiare t’i menaxhojnë vet”. Në anën tjetër, regjisori Bekim Lumi dhe dramaturgu Arian Krasniqi, që ditë më parë kanë nisur një peticion që kërkojnë kthimin mbrapshtë të këtij drafti, kanë vlerësuar se ky e ngulfat teatrin dhe që sipas tyre nuk janë konsultuare fare njerëzit e artit. Ata kanë kërkuar përmes peticionit, të nënshkruar nga 43 njërës të artit. Sipas tyre roli i udhëheqësit apo drejtorit artistik po degradohet. 

Por këto kërkesa dhe vërejtje të Lumit dhe Krasniqit, nuk janë mbështetur nga një numër i madh i regjisorëve, dramaturgëve, aktorëve dhe kritikëve të artit që ishin të pranishëm në dëgjim. Dramaturgu Fadil Hysaj, profesori i Fakultetit të Arteve Nebih Islami, Dramaturgu Haqif Mulliqi, regjisori Ekrem Kryeziu, kritikët e artit Adil Olluri, Agim Apolloni dhe Reshat Sahitaj, si artistë të tjerë kanë dhënë mendimet se ky draftligj është më i miri që ka qenë ndonjëherë dhe që në substancë krijon hapësirë për zhvillim të teatrit. Vlerësimi i tyre mjaftë pozitiv ishte krijimi i mundësisë për prezantim më të madh të krijimtarisë së dramës vendore. Edhe aktori Enver Petrovci ka përkrahur në parim këtë draftligj, por ka dhënë disa propozime se si do të mund të rregullohej edhe më mirë teatri në Kosovë. Ai ka thënë se mbi të gjitha duhet të qartësohet saktë se kush çfarë detyrash ka dhe që në vazhdimësi të dihet se kush është fajtor për gjendjen e keqe në teatër apo se kush është meritor për zhvillim të mëtutjeshëm.

Propozimet e Petrovcit dhe të dramaturgëve dhe regjisorëve të tjerë, Ministri Krasniqi i ka mbështetur duke kërkuar nga Komisioni parlamentar që të ketë parasysh propozimet konkrete që janë dhënë nga komuniteti.

Prapa