Nënshkruhet memorandumi për restaurimin e Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë

09.07.2018

Zëvendësministrja Burbuqe Bakija-Deva dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Firzi, janë takuar sot me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe me përfaqësues të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Në këtë takim shumëpalësh të mbajtur në Komunën e Gjakovës është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e trashëgimisë kulturore, përkatësisht përcaktimin e parimeve të bashkëpunimit dhe obligimeve të palëve në kuadër të “Projektit për Restaurim të Mejtepit Ruzhdije në Gjakovë”.

Ky memorandum është nënshkruar duke u bazuar në dispozitat e “Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për Bashkëpunimin dhe zhvillimin dhe për Statusin e Programit të Zyrës Koordinuese të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim” , e nënshkruar me 02 shkurt 2010 në Ankara.

Pas nënshkrimi të këtij memorandumi, zëvendësministrja Burbuqe Bakija-Deva, në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, falënderoi TIKA-n për investimet që po bën në Kosovë. “Nënshkrimi i këtij memorandumi është vetëm një vazhdim i bashkëpunimit tonë, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me organizatën TIKA, të cilën edhe një herë në emër të Ministrisë e falënderojmë për investimet që ka bërë në të gjitha fushat e në veçanti për monumentet e trashëgimisë kulturore”. Ajo po ashtu bëri të ditur se obligimet e Ministrisë kanë të bëjnë sidomos me përpilim e dokumentacionit dhe projektit.

“Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë do të jetë e kyçur si në ofrimin e dokumentacionit, po ashtu edhe në ofrimin e lejeve të nevojshme për kompletim të dokumentacionit gjithashtu do të jetë e kyçur edhe në mbikëqyrjen e këtij projekti. Shpresojmë që edhe ky projekt do të ndikoj në zhvillimin e turizmit kulturor përmes restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore”, u shpreh zëvendësministra Bakija-Deva.

Ndërkaq, koordinatori i TIKA-s, Hasan Burak Ceran, u shpreh i gëzuar për nënshkrimin e memorandumit duke e vlerësuar këtë si një projekt shumë të vlefshëm. “Në kuadër të projekteve që ne si TIKA jemi duke i realizuar në Kosovë, ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe investimet në trashëgiminë kulturore zënë një vend të veçantë në projektet tona. Jemi duke e vlerësuar këtë objekt si një objekt të veçantë dhe pasi të bëhet restaurimi do të jetë një objekt shumë aktiv ku shoqëritë civile që merren me art dhe kulturë do ta përdorin këtë objekt”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka vlerësuar se ky është një moment i rëndësishëm sepse është një investim i vlefshëm.

Kryetari Gjini tha se “TIKA turke dhe Ministria e Kulturës i kanë disa investime shumë të vlefshme të cilat po rrjedhin në Gjakovë. Sot jam i lumtur për shkak se ky projekt do të jetë plotësisht i inkorporueshëm në planin tonë për çarshinë e Vjetër dhe për lumin Krena, do jetë një projekt i cili nuk do të jetë i fshehur prej syve të publikut por do të jetë plotësisht i ekspozuar ashtu qysh duhet me qenë”. Duke folur për qëllimin e investimit në këtë objekt kulturor, Gjini tha se “qëllimi i këtij objekti kulturor është të jetë një qendër kulturore ku do të sistemohen të gjitha organizatat lokale të cilat ekskluzivisht do të merren me kulturë dhe me art”.
 

Prapa