Ministri Gashi në Bruksel për të nënshkruar marrëveshjen për “Evropën Kreative”

04.06.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër, në emër të Republikës së Kosovës nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Evropa Kreative”, për sektorët kulturorë dhe kreativë.

Ministri Gashi, në kuadër të vizitës, do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të BE-së dhe do diskutojë për hapësirat dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në përgjegjësinë e ministrisë, kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ministri Gashi, marrëveshjen në fjalë, e ka konsideruar si jashtëzakonisht të rëndësishëm, sepse përpos që hapet mundësia që Organizata të Shoqërisë Civile dhe individë që merren me art e kulturë, të përkrahen nga fondet e BE-së, është edhe një element fuqizues i shtetësisë së Kosovës.

“Marrëveshja të cilën do ta nënshkruajmë nesër, mes BE-së dhe shtetit të Kosovës, do të mundësojë që personat dhe organizatat që zhvillojnë aktivitete kulturore e artistike të kenë mundësinë që zyrtarisht, si shtetas të Kosovës të aplikojnë në programin e BE-së për kulturë ‘Evropa Kreative’. Kësisoj ata do të munden të marrin mbështetje financiare nga fondet e Komisionit Evropian. Është kjo një mundësi e mirë për artistët nga Kosova që të pasurojnë jetën kulturore në vendin tonë por edhe më gjerë dhe për këtë ndjehem shumë i lumtur”, tha ministri Gashi.

Deri më tani, MKRS-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat që të jetësohet ky programi i BE-së në Kosovës, duke themeluar edhe Deskun Evropa Kreative – Zyra Kosovë, duke organizuar sesione informuese me palët e interesit për programin dhe thirrjet që realizohen nëpërmjet këtij programi. Po ashtu, MKRS-ja ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me DokuFest-in për të hartuar një databazë të organizatave dhe individëve që merren me kulturë e art dhe të një doracaku udhëzues se si të aplikohet në thirrjet e programit “Evropa Kreative”.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO