Ministri Gashi: Rikthimi i Kosovës në Bienalen e Venedikut me rrëfim për vitet e 90-ta

20.04.2018

Sot, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare, Bienalen e Venedikut.

Në këtë konferencë, ministri Gashi tha se që nga momenti kur MKRS-ja ka  përzgjedhur Eliza Hoxhën që të  përfaqësoj Kosovën këtë vit në Bienalen e arkitekturës në Venedik, ajo ka punuar rreth identifikimit të temës së Pavilionit të Kosovës, dhe bashkë me bashkëpunëtorët e saj ka shtyrë përpara projektin i cili tani veç se do të filloj të marrë formë në Venedik.

“Për ne si shtet është shumë e rëndësishme të jemi në një ngjarje të tillë e cila shënon arritjet në arkitekturë, hapë tema dhe debate të reja që lidhen me qytetin, marrëdhënien e njerëzve me të, proceset globale që e ndikojnë atë dhe vendimet politike që merren për të. Andaj ku ka me mirë se në një ngjarje të tillë si kjo – Kosova të shpalos sfidat dhe rrëfimet e saj pas një viti mungese, mospjesëmarrje nga bienalja e kaluar” , tha ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se “dimplomacia kulturore dhe akterët e saj janë pjesë përbërëse dhe tepër e rëndësishme e shtetformimit dhe ndërtimit të imazhit në botë. E tillë është edhe kjo pjesëmarrje e cila sivjet vjen nën temën ombrellë “FREESPACE” apo “HAPËSIRË E LIRË”. Ministri Gashi foli për rëndësinë e temës duke thënë se rrëfimi për vitet e 90-ta është një rrëfim unik në sensin e mobilizimit dhe mbijetesës kolektive të shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.

“Arti, kultura e arkitektura si pjesë e përgjithshme dhe e prodhuar nga këto procese janë hapësire shumë e mirë për të krijuar retrospektivën historike nga një perspektivë tjetër dhe me mjete të tjera komunikimi për një publik më të gjerë. Jam shumë i lumtur që kjo nismë do ta hap derën për rrëfimet e tjera të këtyre viteve për ndërtimin e rrëfimit të madh të atyre viteve”, u shpreh ministri Gashi.

Ndërkaq kuratojra e pavilionit të Republikës së Kosovës në ekspozitën e 16-të të Bienales së Venedikut, arkitektja Eliza Hoxha tha se përzgjedhja e temës për këtë ekspozitë ka qenë e vështirë megjithatë konteksti i viteve të 90-ta, një kontekst që është shumë pak i eksploruar, ka qenë moment shumë i mirë për ta risjell si një rrëfim më gjithëpërfshirës ashtu siç kanë qenë edhe ato vite gjithëpërfshirëse. “Titulli i ekspozitës është “Qyteti është gjithandej” dhe deri te kjo temë kemi ardhur pas një diskutimi të madh me një grup të njerëzve dhe pikërisht për faktin se vitet e 90-ta janë shquar për gjithëpërfshirje” tha Hoxha.

Ajo gjithashtu tha se “Pavilioni është një shtëpi që është e pakryer, me blloka që jemi mësuar me i pa në hapësira në Kosovë. Shtëpia jonë në Bienale është shtëpi nga jashtë por hapësirë publike nga brenda”, tha ajo.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO