Ministri Gashi takoi Kryeshefin e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” për zgjidhjen e situatës në Teatër e Bibliotekë

06.04.2018

Pas inspektimit të objekteve të Teatrit Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare ku ka parë nga afër problemet që kanë këto dy institucione, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka takuar sot Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu.

Në takim u diskutua për problemet e fundit me të cilat janë përballur dy institucionet e kulturës dhe ministri Gashi e kryeshefi Abdullahu u dakorduan për të koordinuar veprimet për eliminimin e problemeve që kanë këto dy institucionet në objektet e tyre.

Ministri Gashi e falënderoi menaxhmentin e ujësjellësit për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e treguar. “Dua të shfrytëzoj rastin t’u falënderoj për intervenimin e shpejtë që keni bërë në eliminimin e ujërave gjatë ditës së sotme”, tha ministri.

Ministri kërkoi nga drejtuesit e kompanisë së ujësjellësit që të bashkërisht të zhvillojnë një projekt për eliminimin e rrezikut që shkakton depërtimi i ujërave në këto dy institucione kombëtare të kulturës, me ç’rast të dy u dakorduan të harmonizojnë veprimet.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet e përkushtuar që të ndajë buxhet shtesë për zgjidhjen e kësaj problematike”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi.

Ndërsa, kryeshefi i kompanisë, Ilir Abdullahu, shfaqi gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” që bashkërisht me institucionet, ministrinë dhe komunën t’i koordinojnë veprimet dhe të sanojnë gjendjen e tanishme.

Palët gjithashtu presin veprime konkrete edhe nga ana e Komunës së Prishtinës që të bashkëpunojë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO