MKRS ndan bursa për dhjetë shpresa olimpike në vlerën total prej 18 mijë euro

30.01.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ka nënshkruar sot vendimin për ndarjen e dhjetë bursave për shpresat olimpike dhe paraolimpike, pas propozimit të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatave respektive.

Bursa në vlerë monetare prej 150 eurosh për një vit kalendarik (12 muaj) do t’u ndahet sportistëve: Distria Krasniqi (xhudo), Donjeta Sadiku (boks), Orges Arifi (karate), Akil Gjakova (xhudo), Nexhat Sahiti (shenjëtari), Vijona Kryeziu (atletikë), Melisa Zhdrella (not), Drilon Syla (mundje), Leart Osmanaj (atletikë) dhe Era Janjeva (pingpong).

Kjo mbështetje e drejtpërdrejtë për sportistë që kanë treguar rezultate kulmore dhe kanë plotësuar standardet sipas Rregullores nr. 03/2013 për Ndarjen e Bursave për Shpresa Olimpike dhe Paraolimpike do të realizohet në baza mujore.

Ministri Gashi e vlerësoi vendimin për ndarjen e bursave si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm sepse sadopak sportistëve tanë që konsiderohen shpresa të sporteve përkatëse të vendit tonë ua mundëson që të kenë kushte dhe motiv për përgatitje sa më të mira dhe për të korrur rezultate kulmore në sportet në të cilat këta sportist garojnë.

“Ky vendim bëhet sipas normave të parapara ligjore dhe pas propozimit të mekanizmave të sportit në vendin tonë. Është ky një hap i Qeverisë së Kosovës e në veçanti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’u qëndrojë afër dhe të mbështesë sportistët e talentët e rinj në forma të ndryshme por edhe të drejtpërdrejta. Bursat që do t’u ndahen shpresave olimpike dhe paraolimpike do të jenë një nxitje që sportistët që kanë përfituar të punojnë dhe të angazhohen edhe më shumë në përgatitjet e tyre dhe në prezantim sa më të suksesshëm në garat vendore dhe ndërkombëtare. Është ky një përkushtim i yni në kuadër të masivizimit dhe ngritjes së cilësisë në sport”, u shpreh ministri Gashi.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO