Ministri Gashi takon presidentin al-Sabah, e informon se Kosova e trajton sportin me prioritet

11.12.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti në takim presidentin e Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Sheikh Ahmad al-Fahad al-Sabah, i cili po qëndron në një vizitë në vendin tonë, me rastin e tre vjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ministri Gashi, i uroi mirëseardhjen në Kosovë presidentit al-Sabah dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë sportit të Kosovës dhe e falënderoi atë për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në Asociacionin e Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Ministri e informoi presidentin al-Sabah për punën dhe organizimin e MKRS-së, për gjendjen e sportit në vend dhe u shpreh se me qëllim të krijimit të hapësirave të nevojshme për sportistë dhe federata, MKRS-ja po punon në krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe gjatë këtij mandati Qeveria ndër prioritetet kryesore do ta ketë sportin. Ai gjithashtu e njoftoi presidentin e ANOC-ut, al Sabah për angazhimin e ministrisë për ndryshimin e mënyrës së financimit të sportit në Kosovë, ku përfshihen edhe mënyra e sponsorizimit të sportit në vendin tonë si dhe kategorizimi i sporteve dhe sportistëve.

“Që nga marrja e mandatit, si ministër, theks të veçantë në kuadër të punës në ministri, kemi këtë kornizë ligjore që duam ta finalizojmë si proces dhe paralelisht po punojmë në këtë drejtim. Gjithashtu, dua të informoj presidentin se ministria ka rritur buxhetin për 33% për vitin 2018 dhe pjesa më e madhe e tij do të orientohet në zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe në përkrahjen e sportistëve”, tha ministri Gashi, duke përmendur edhe pjesëmarrjen e suksesshme të sportistëve tanë në lojërat ndërkombëtare.

Ministri e siguroi presidentin al-Sabah se ministria do të vazhdojë ta përkrahë Komitetin Olimpik të Kosovës edhe në të ardhmen për duke ruajtur pavarësinë e funksionimit.

Ministri po ashtu e njoftoi presidentin për fillimin e procedurave për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të futbollit.

Ndërkaq, Presidenti i Asociacionit Ndërkombëtar të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Sheikh Ahmad al-Fahad al-Sabah, u shpreh se ndjehet i nderuar që po viziton Kosovën dhe pritjen që i është bërë në vendin tonë. Ai e falënderoi ministrin Gashi për pritje dhe duke shprehur kënaqësinë e tij për arritjet e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, tregoi edhe një herë gatishmërinë e tij për bashkëpunim edhe në të ardhmen në mbështetje të sportit të Kosovës.

Presidenti al-Sabah tha se Kosova ka merituar të jetë anëtare e të gjitha organizatave sportive dhe për këtë jemi angazhuar edhe jashtë dhe brenda Kosovës dhe kjo është bërë realitet.

“Ne kemi qenë të lumtur po aq sa ju kur e kemi parë flamurin e shtetit tuaj të valojë në Lojërat Olimpike në Rio. Bashkërisht kemi punuar shumë për t’i tejkaluar vështirësitë që kemi ndeshur dhe medalja juaj e artë e fituar erdhi si një dhuratë nga Zoti”, tha al-Sabah.

Ai tha se ndjehet mirë që Qeveria e Kosovës është në pajtueshmëri të plotë me sportin për dallim të shumë shteteve tjera që janë në konflikt me organizatat e tyre sportive. Kjo në Kosovë fatmirësisht nuk qëndron si fakt. Gjithashtu, ai porositi që shteti të vazhdojë të mbështesë sportistët në Kosovë. “Nëse deri tani e keni përjetuar suksesin e ndërkombëtarizimit të sportit të vendit tuaj, tani është koha që të korrni suksese në ndërtimin e infrastrukturës, së pari në ligj dhe rregullore dhe lajmi se keni rritur buxhetin është një gjë shumë e mirë” tha presidenti i ANOC-ut.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO