Rahoveci, më 2018-tën, do të bëhet me palestër sportive

08.11.2017

Salla e Sportit do të jetë në shërbim të qytetarëve të Rahovecit në vitin 2018. Kësisoj u shpreh Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë inspektimit të punimeve që janë zhvilluar në këtë projekt kapital sportiv në Rahovec, në kuadër të vizitës së sotme në këtë komunë.

Ministri Gashi gjatë inspektimit në palestrën e sportit në Rahovec ka qenë i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, të cilit ministri i ka shprehur mbështetje përmes investimeve që do të bëhen në këtë komunë në fushën e sportit.

“Vizitova sallën e sportit, një objekt ky që ka filluar pothuajse para 9 viteve, i cili mund të them lirisht që në këto vitet e fundit ka pas neglizhim të punimeve. Ne kemi përshpejtuar procedurën dhe jemi në vlerësim të këtij projekti për fazën e fundit dhe besoj se në vitin 2018 kjo sallë do të jetë në shërbim të qytetarëve të komunës së Rahovecit dhe të gjitha atyre sportdashësve të cilët do ta shfrytëzojnë këtë objekt sportiv”, u shpreh ministri.

Ministri i ka ofruar mbështetje kryetarit të Rahovecit me investimet që do t'i bëjnë bashkërisht edhe për investimet që do të bëhen në stadiumin e qytetit, si dhe në fshatin Ratkoc dhe Krushë e Madhe.

Ministri Gashi, ka qëndruar edhe në objektin e Komunës së Rahovecit. Gashi bashkë me kryetarin Vehapi, gjatë takimit që zhvilluan, u dakorduan për mbështetje edhe të fushave që kanë të bëjnë me pjesën e kulturës, trashëgimisë, dhe rinisë me projekte konkrete që ka Komuna e Rahovecit.

Ndërsa, kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi tha se me ministrin Gashi diskutuan për investimet që do të bëhen në fushën e sportit dhe kulturës. Ai tha se e ka njoftuar ministrin nga afër me gjendjen e objekteve sportive të Komunës së Rahovecit, duke shpresuar në finalizimin sa më të shpejtë të tyre për t’u vënë në shërbim të qytetarëve.

Palestra e sportit në komunën e Rahovecit ka filluar ndërtimin në vitin 2008 dhe është projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Janë kryer dy faza të këtij projekti kapital ku janë investuar rreth një milion e 970 mijë euro. Ndërsa për fazën e fundit, e cila është procedurë, janë të parapara rreth 770 mijë euro.

Prapa