“Katarina Josipi” për 2016-tën u nda për Ag Apollonin për dramën “Hamleti im”

27.10.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemen dorëzoi tri çmimet për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, në bazë të vlerësimeve të jurisë profesionale.

Çmimi i parë “Katarina Josipi” iu dorëzua laureatit Ag Apolloni për dramën “Hamleti im”, i cili shoqërohet dhe me shpërblim financiar prej 3600 euro. Çmimi i dytë i takoi autores Ulpiana Maloku për dramën “Bosh me rudha”, i shoqëruar me shpërblimin prej 2400 euro dhe çmimi i tretë u nda për dramën “Rropatje” të autores Brikena Sopi, që u shpërblye me 1200 euro.

Ministri Gashi theksoi se ceremonia e dorëzimit të këtyre çmimeve është një vlerësim për punën që bëjnë autorët e rinj.

“Për mua është kënaqësi që ndaj këto çmime dhe dua të konfirmoj që edhe unë si ministër por edhe MKRS-ja do të jetë në mbështetjen tuaj sepse puna e juaj na bën që të ndjehemi krenar”, tha ministri.

Ndërkaq, laureati Ag Apolloni shprehu falënderimin për çmimin dhe u shpreh se ky është një vlerësim dhe shtytje që të angazhohemi edhe më shumë në punën krijuese.

Ndërsa kryetari i jurisë, Arian Krasniqi, tregoi se e kanë pasur të vështirë të vijnë deri te vlerësimin final sepse kanë qenë gjithsej 24 tekste që kanë konkuruar të të gjitha zhanreve dramatike dhe nuk kanë qenë vetëm punime sasiore por në to ka pasur edhe cilësi.

Juria ka qenë në përbërje të Arian Krasniqi-dramaturg, Agim Selimi-regjisor, Zethane Bahtiri-aktore, përfaqësuese e MKRS-së, Agon Myftari-regjisor dhe Bislim Muçaj-aktor.

Prapa