Ministri Gashi mori pjesë në Panairin dhe Konferencën Ndërkombëtare të Bizneseve

27.10.2017

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në edicionin e gjashtë të Panairit dhe Konferencës Ndërkombëtare të Bizneseve që u mbajt sot në Prizren, e që u organizua nga Forumi i Biznesit Prizren.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, përfaqësues të odave ekonomike të vendit dhe shteteve të rajonit dhe përfaqësues të vendeve tjera evropiane nga fusha e ekonomisë.

Ministri Gashi këtë organizim e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme dhe ndër më të spikaturat që organizohet në Republikën e Kosovës, sepse mundëson takimin e tregtarëve, intelektualëve dhe mund të bëhet shkëmbimi i mallrave, fondeve e informacioneve me qëllim të zhvillimit të tregtisë e turizmit.

Ministri nënvizoi se aktivitete të organizuara si ky i sotmi ndikojnë “drejtpërsëdrejti në zhvillimin e veprimtarive prodhuese dhe krijuese, e këtu padyshim qyteti Prizrenit ka potencialin më të madh në këtë aspekt, qoftë për nga bukuritë natyrore që ka por edhe monumente atë shumta të trashëgimisë kulturore, si asete të çmuara jo vetëm për vendin tonë por edhe për popujt tjerë”, u shpreh ministri.

“Padyshim se mbetet përkushtim yni qeveritar dhe i institucioneve që përfaqësojmë që vazhdueshëm të angazhohemi që në Republikën e Kosovës të krijohet një ambient i përshtatshëm për zhvillimi dhe avancim”, tha për fund ministri.

Prapa