Ministri Gashi: Sportistët e dalluar, ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të shtetit tonë

23.10.2017

Komiteti Olimpik i Kosovës në një ceremoni solemne të mbajtur sot, ka ndarë 19 bursa olimpike për sportistët më të suksesshëm të Kosovës, për përgatitjet për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Në këtë ceremoni, ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i cili u shpreh i lumtur për organizimin e ceremonisë solemne të nënshkrimit të kontratave me 19 sportistët më të mirë të Kosovës të cilëve u prinë Majlinda Kelmendi, fituese e medaljes së artë olimpike nga Olimpiada e Rios.

Ministri Gashi theksoi se garanton mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe u zotua për mbështetjen e sportistëve që arrijnë rezultate dhe se mbështetja e sportistëve të dalluar, të cilët janë ambasadorët e Kosovës dhe përfaqësuesit më të mirë të shtetit, do të jetë prioritet i veçantë.

“Jam këtu me ju, në këtë ceremoni solemne, për të treguar përkushtimin tim si ministër dhe për të garantuar mbështetjen e MKRS-së për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe për të zotuar se do të mbështesim sportistët që arrijnë rezultate dhe për të treguar se do t’i përkrahim sportistët e dalluar të cilët janë ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të shtetit tonë”, tha ministri Gashi.

Besim Hasani, President i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se falë kritereve të përcaktuara nga Solidariteti Olimpik i KON-it bazuar në përvojat e mira nga cikli olimpik “Rio 2016” dhe eksperiencave të komiteteve olimpike kombëtare bordi ekzekutiv i KOK-ut ka zgjedhur 19 sportistët më të mirë që i ka Kosova për të qenë përfitues të bursave olimpike “Tokio 2020”. Ai po ashtu theksoi se 19 sportistët e përzgjedhur u takojnë 8 sporteve olimpike individuale dhe 9 prej tyre janë të gjinisë femërore.

Përveç tjerash ai falënderoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndihmën dhënë KOK-ut në arritjen e përmbushjes së objektivave strategjike.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO