Ministri Gashi takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, O’Connell

14.09.2017

Ministri Kujtim Gashi, priti sot, në një takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairí O’Connel, me të cilin bisedoi për zhvillimet në fushat që i mbulon MKRS-ja, politikat programore dhe objektivat që ka në plan MKRS-ja të përmbushë si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Britanisë së Madhe në sferat që janë më me prioritet dhe në interes të dy vendeve në kuadër të këtyre fushave.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin O’Connell dhe, përmes tij qeverinë dhe popullin britanik për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për popullin e dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në mbështetje të kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore.

Ministri u shpreh se e çmon bashkëpunimin e deritashëm dhe përkrahjen që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për projekte të ndryshme të cilat e kanë ndihmuar MKRS-në që të realizojë politikat e saj dhe se kjo ka krijuar lehtësira të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e punës së ministrisë. Ndër këto projekte është Databaza e Trashëgimisë Kulturore, në të cilën Britania e Madhe ka ofruar mbështetjen e plotë për këtë projekt. Programi i bursave, i cili është nënshkruar në një marrëveshje mes MKRS-së dhe Këshillit Britanik që studentët kosovarë të vazhdojnë studimet në universitetet britanike në fushën e trashëgimisë dhe projekte tjera infrastrukturore, janë ndër të shumtat që ambasada e ka ndihmuar MKRS-në.

Po ashtu, ministri Gashi tha se mbetet i përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe i tilli të thellohet edhe më, në të ardhmen. Ai tha se MKRS-ja do të angazhohet në reformimin e politikave të saj programore me synim të depolitizimit dhe zvogëlimit të barrierave të panevojshme administrative duke siguruar edhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve vartëse të ministrisë. “Do të angazhohemi që të rikonceptojmë mbështetjen e fuqishme për kulturën e pavarur, gjegjësisht, artistët, punëtorët profesional të Trashëgimisë Kulturore, sportistët dhe aktivistët e rinj të dëshmuar”, tha ministri Gashi.

Nga ana e tij, ambasadori britanik Ruairí O’Connell, e uroi ministrin Gashi për detyrën e re. Ai i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe arritje në punën që do bëjë në të ardhmen.

Ambasadori theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ai potencoi se mbështetja e ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje. O’Connell e inkurajoi ministri që të punojë dhe të angazhohet në përkrahjen e vlerave dhe mbështetjen e talenteve të rinj në të gjitha fushat.

Prapa