Kryeministri Mustafa: Trashëgimia arkeologjike në Ulpianë vlerë e veçantë e Kosovës dhe mbarë njerëzimit

27.10.2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Parkut Arkeologjik “Ulpiana”.

Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, ambasadori i Francës, Didier Chabert, arkeologë, studiues dhe studentë të shumtë të kësaj fushe, kryeministri Mustafa, tha se trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e secilit qytetar të saj.

“Trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e Kosovës dhe vlerë e secilit qytetar të saj. Ajo është e gjithë botës sepse ka vlera universale për njerëzimin mbarë. Prandaj, secili qytetar duhet ta ruajë trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe ta gëzojë e ta shijojë atë. Kosova mburret me këtë trashëgimi kulturore prej kohërave më të vjetra e deri më sot. Kosova, po ashtu, mburret me trashëgimi të larmishme të krijuar gjatë mijëvjeçareve dhe shekujve të kaluar nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar në këto treva. Kjo është trashëgimi e Kosovës dhe duhet të mbrohet, të ruhet sepse na përket të gjithë neve”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe trashëgimia arkeologjike si kjo në Ulpianë, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, do të vazhdojnë të përkrahin institucionet e trashëgimisë kulturore, duke ngritur buxhetin dhe duke rregulluar fushën e trashëgimisë kulturore me ligje, akte nënligjore, strategji e reformime institucionale”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ministrin Shala, kryetarin Kostiq dhe ambasadorin Chabert bënë zbulimin e pllakës së Parkut Arkeologjik.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa.

Sot jemi në Ulpianë, në një municip romak në qendër të Dardanisë antike, Dardanisë së të parëve tanë, për të shpallur zyrtarisht këtë lokalitet të mirënjohur arkeologjik si Parkun e parë Arkeologjik në Kosovë.

Sot, në Ditën e Darkës së Lamës, festës tradicionale të Kosovës, të inauguruar zyrtarisht nga Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, po festojmë themelimin e këtij parku arkeologjik në qendër të Dardanisë antike.

Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe trashëgimia arkeologjike si kjo në Ulpianë, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Vitin e kaluar Ministria e Kulturës ka rritur buxhetin për trashëgiminë kulturore për 23 për qind, me kërkesa konkrete dhe me projekte konkrete. Ky është një ndër projektet, së bashku me shumë projekte të tjera me lokalitete arkeologjike, si ai në Dersnik, me kalatë si ajo në Prizren, Novobërdë, Harilaq, me muzetë, me kullat, me shtëpitë e vjetra, me botimet në fusha të trashëgimisë dhe shumë veprimtari të tjera.

Trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e Kosovës dhe vlerë e secilit qytetar të saj. Ajo është e gjithë botës sepse ka vlera universale për njerëzimin mbarë. Prandaj, secili qytetar duhet ta ruajë trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe ta gëzojë e ta shijojë atë. Kosova mburret me këtë trashëgimi kulturore prej kohërave më të vjetra e deri më sot. Kosova, po ashtu, mburret me trashëgimi të larmishme të krijuar gjatë mijëvjeçareve dhe shekujve të kaluar nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar në këto treva. Kjo është trashëgimi e Kosovës dhe duhet të mbrohet, të ruhet sepse na përket të gjithë neve.

Shumë kohë më herët kur janë ndërtuar këto mure romake, në këtë tokë të bekuar kanë jetuar dhe krijuar dardanët e lashtë, paraardhësit tanë. Por, para tyre edhe njerëz të tjerë të neolitit, paleolitit dhe të parahistorisë. Të gjitha shtresat e trashëgimisë kulturore janë trashëgimi kulturore e Kosovës. Mbetet për ju arkeologët, antropologë dhe historianë të rinj të Kosovës, që ta kërkoni, ta njihni, ta studioni dhe t’ia prezantoni botës. E di që ju e keni një moto profesionale: “Rrmih për me tregue”. Besoj që kjo moto do t’ju prijë në punë të mbarë dhe të mirë që t’i tregoni botës mbarë se kush jemi dhe kush kemi qenë.

Parku Arkeologjik Ulpiana, është një shembull i punës së projektuar, administruar dhe kryer mirë e mbarë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Faza e zhvillimit të saj do të vazhdoj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do ta përkrahë këtë punë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, do të vazhdojnë të përkrahin institucionet e trashëgimisë kulturore, duke ngritur buxhetin dhe duke rregulluar fushën e trashëgimisë kulturore me ligje, akte nënligjore, strategji e reformime institucionale. Natyrisht, që edhe në të ardhmen presim prej institucioneve rezultate konkrete, si në projekte të tilla, ashtu edhe në botime e promovime të punës së tyre që t’i tregojmë botës mbarë kush jemi e prej nga vijmë.

Për fund, dua t’iu falënderoj të gjithëve që keni punuar në realizimin e këtij projekti, duke nisur nga ministri Shala dhe kabineti i tij, drejtorja znj. Aliu, drejtori i Institutit, z. Rexha, udhëheqësi i gërmimeve, z.Berisha, arkitektja, znj. Jerliu dhe të gjithë arkeologët, administratorët, studentët dhe punonjësit e tjerë, për realizimin e fazës së parë të këtij Parku Arkeologjik.

Urime e përgëzime!

Prapa