Ministri Shala: Në Rahovec së shpejti funksionalizohet palestra moderne

20.09.2016

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me ministrin e Financave Avdullah Hotin dhe me zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka vizituar Komunën e Rahovecit, ku është pritur nga kryetari Idriz Vehapi.

Në këtë takim është biseduar për projektet dhe investimet e MKRS-së, sidomos ato që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës në sport, në të cilën fushë MKRS-ja është duke realizuar investime të shumta kudo nëpër Kosovë.

Ministri Shala, së bashku me delegacionin, vizitoi Palestrën e Sportit të këtij qyteti, një investim kapital i MKRS-së.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, e falënderoi ministrin Shala për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Rahovecit. Ai më tej u shpreh se Palestra Sportive në këtë qytet, e ndërtuar sipas standardeve të avancuara ndërkombëtare, është në të mirë të sportit të kësaj komune, dhe së shpejti pritet të vihet në shërbim të atyre që do të zhvillojnë aktivite sporteve.

Ndërsa Ministri Shala u shpreh se ky është një nga investimet më të madh që lidhet me sportet kolektive në Kosovë, në të cilin projekt, në total, investimi i Qeverisë së Kosovës do të arrijë rreth vlerës 2 milion e 700 mijë euro.

Ai më tej u shpreh se kjo palestër moderne, e cila është në fazën e fundit, së shpejti do të funksionalizohet, dhe do t’i shërbejë avancimit të mëtejmë të sportit në këtë qytet dhe në Kosovë, meqë kjo palestër plotëson kriteret ndërkombëtare për aktivitete sportive.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se MKRS-ja është duke punuar që të investojë në stadiumin e qytetit të Rahovecit dhe në disa projekte tjera të rëndësishme që lidhen me sportin në këtë komunë.

Prapa