Shala: Po punohet për përmirësimin e infrastrukturës në sport

27.05.2016

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka zhvilluar një takim pune me sekretarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Saliun, me të cilin  bisedoi rreth infrastrukturës në stadiumet e Kosovës, për punën e licencimit të klubeve të futbollit, një proces ky tejet i rëndësishëm sidomos tani pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, por edhe për nevojën e përmirësimit të infrastrukturës në stadiumet tona para garave ndërkombëtare të cilat do të zhvillohen shpejt.

Ministri Shala dhe sekretari i FFK-së Saliu gjithashtu biseduan për punën e standardeve të reja që janë krijuar për futbollin e Kosovës pas anëtarësimit në dy organizatat ndërkombëtare, dhe u shprehën se kërkohet një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve të vendit, FFK-së dhe klubeve, në funksion të konsolidimit të futbollit tonë dhe prezantimit sa më të mirë në arenën ndërkombëtare.

Ministri Shala theksoi se Institucionet e Kosovës po punojnë intensivisht që të përmbushin të gjitha kriteret e parapara nga UEFA dhe FIFA në fushën e infrastrukturës. Ai më tej tha se procedurat rreth Stadiumit të Prishtinës kanë përfunduar dhe shpejt pritet nënshkrimi i kontratës për renovimin e këtij stadiumi, i cili në atë ardhmen do t’i plotësojë standardet ndërkombëtare për gara në futboll. 
 
Po ashtu, ministri Shala u shpreh se po punohet që Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë të mund të përgatitet për garat ardhshme.

Prapa