Anëtarësimi në FIFA e përmbyll procesin e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës

13.05.2016

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uroi Federatën e Futbollit të Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, si dhe i përgëzoi futbollistët e vendit tonë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm.

Ministri Shala u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në FIFA është ngjarje madhore dhe kurorëzon aspiratat dhe sakrificën e brezave të shumtë.

Me këtë rast, ministri Shala u shprehu mirënjohje drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës për punën e palodhshme që kanë bërë vite të tëra që futbolli i Kosovës të shënojë këtë sukses historik, me ndërkombëtarizimin tashmë të plotë të tij.

Shala më tej në urimin e tij u shpreh se pas pranimit të Kosovës në UEFA, anëtarësimi i sotshëm në FIFA, është dëshmi se shteti i Kosovës po forcohet gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar.

Ai më tej theksoi se pranimi i Kosovës në FIFA është një mundësi e madhe për futbollin e Kosovës, dhe një nxitje e fuqishme për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti, meqë vendi ynë ka shumë lojtarë cilësorë, të cilët mund ta prezantojnë Kosovën dhe vlerat e saj në arenën ndërkombëtare.

Sipas ministrit Shala, anëtarësimi në FIFA e përmbyll procesin e ndërkombëtarizimit të sportit dhe krijon mundësi që këtu e tutje të përqendrohemi në punën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të kulturës.

Prapa