Shteti merr nën mbrojtje Rezidencën e Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova

27.04.2016

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot “Rezidencën e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” dhe i ka dorëzuar familjes së Presidentit Ibrahim Rugova vendimin e MKRS-së, me të cilin kjo ndërtesë përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me ketë rast, ministri Shala u shpreh se kjo ndërtesë ka vlerë të jashtëzakonshme nacionale dhe si e tillë do ta ketë përkujdesjen dhe mbështetjen e Institucioneve të Kosovës, meqë lidhet me kujtesën dhe rrugëtimet tona drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ruhen vlera të shquara historike, artistike e politike, të cilat presidenti i kultivonte me shije e kulturë, ndaj ato duhet të jenë të hapura për vizitorë.

Më tej, ministri Shala tha se vepra e Rugovës, është udhërrëfyese dhe vlerë e përhershme për ndërtimin e Kosovës moderne dhe evropiane.

Fane Rugova, gruaja e Presidentit Ibrahim Rugova e falënderoi ministrin Shala për këtë akt tejet domethënës, dhe u shpreh se kjo ndërtesë i duhet Kosovës, ndaj edhe duhet të jetë e hapur për publikun.

Vendimi për të përfshirë “Rezidencën e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme është marrë duke u bazuar në kërkesën e Familjes Rugova drejtuar Departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës.

Në këtë ndërtesë, nga viti 1993 është vendosur Presidenti Rugova me familjen e tij, dhe deri në janar të vitit 2006 ka zhvilluar veprimtarinë e tij zyrtare shtet-formuese për Kosovën.

Grupi punues, i cili ka vlerësuar kërkesën e familjes dhe hapjen e ndërtesës për publikun, kësisoj ka mundësuar që të bëhen vizita dhe të njihet nga afër jeta dhe vepra e Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit janë konstatuar 5 hapësira që do të hyjnë nën mbrojtje: në përdhese, është Salla e Pritjes, Salloni kryesor, me hapësirat përcjellëse, Kabineti i punës së Presidentit, Dhoma e Kristaleve dhe Salla solemne. Kjo e fundit e njohur si salla në të cilën janë mbajtur takimet e “Grupit të Unitetit”, të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, takimet me Presidentin Marti Ahtisaari, që shënon dhe fillimin e dialogut për statusin final të Kosovës e që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2016.

Brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ka piktura, fotografi të shumta të takimeve të Presidentit Rugova me personalitete të vendit dhe të huaj. Guri në oxhakun e Kabinetit të punës së Presidentit është punuar nga gjyshi i Presidentit Rugova. Ky gur është punuar në vitin 1910, si pjesë e kullës së ndërtuar në fillim të viteve 1900. Enterieri i Sallonit të pritjes është i trajtuar me nivel të lartë artistik. Tavanet e sallonit janë të punuara me drugdhendje në frymën tradicionale të shtëpive qytetare të Kosovës. Grupi konstaton se këto hapësira posedojnë vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë së luajtshme me interes për vendin.

Hapësirat dhe vetë ndërtesa “Rezidenca e Presidentit dr. Ibrahim Rugova” karakterizohen me vlerat historike, shoqërore dhe të raritetit.

Vlerat historike: Në këtë shtëpi nga viti 1993 deri më 21 janar 2006, kur ndërroi jetë, ka jetuar dhe vepruar Presidenti dr. Ibrahim Rugova.

Gjatë viteve 1996 deri 1999 në këtë Rezidencë Presidenti Rugova zhvilloi takime intensive me ambasadorët amerikanë Richard Holbrooke, Christopher Hill, senatorin amerikan Bob Dole, ambasadorin britanik Brian Donnelly, ambasadorin gjerman Wolfgang Ischinger, ambasadorët austriak Wolfgang Petritsch e Albert Rohan, që realizuan organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila rezultoi me fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, më 24 mars 1999 dhe përfundimisht me lirinë e Kosovës, më 12 qershor 1999.

Në nëntor të vitit 2005 në këtë Rezidencë u mbajt takimi i parë i Ekipit të Unitetit të Kosovës, i udhëhequr nga Presidenti Rugova, me Presidentin Marti Ahtisaari, që shënon fillimin e dialogut për statusin final të Kosovës e që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Vlerat shoqërore: Nga viti 1993 deri më 21 janar 2006, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në këtë Rezidencë zhvilloi takime me strukturat politike të Kosovës dhe me diplomatë e burrështetas ndërkombëtarë, me qëllim të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Vlerat e raritetit: Ndërtesa e parë Presidenciale para dhe pas luftës në Kosovë.

Prapa