Mitrovica me infrastrukturë moderne në sport

08.02.2016

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, qëndroi sot për një vizitë në Mitrovicë, ku inspektoi finalizimin e punimeve në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” dhe ato në Stadiumin “Riza Lushta.”

Ministri Shala u nda i kënaqur me dinamikën e punimeve dhe u shpreh se me këto dy objekte të rëndësisë së veçantë për sportin, Mitrovica po bëhet me infrastrukturë bashkëkohore dhe në përkim me standardet e kërkuara ndërkombëtare. Më tej Shala u shpreh se renovimet në këto dy stadiume, kanë krijuar kushte më të mira për zhvillimin e mëtejmë të sportit në Mitrovicë dhe në Kosovë.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se investimet në infrastrukturën sportive në Mitrovicë dhe gjetiu nëpër Kosovë po bëhen me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe janë në funksion të përgatitjeve që po bën Kosova para ndërkombëtarizimit përfundimtar të sportit kosovar.

MKRS-ja për përmirësimin e infrastrukturës në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” vitin e kaluar ka investuar 400 mijë euro, ndërkaq sivjet në projeksionet buxhetore ka paraparë të investojë 110 mijë sivjet.

Ndërsa për renovimin e Stadiumit “Riza Lushta” deri me tani janë investuar rreth 150 mijë euro.

Në kuadër të vizitës në Mitrovicë, ministri Shala vizitoi edhe Palestrën e Sporteve të këtij qyteti.

Prapa