Lipjani bëhet me qendër rinore

02.02.2016

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Lipjanit, nëpërmjet të cilit, për ndërtimin e Qendrës Rinore në Lipjan, do të investojë 250 mijë euro, projekt ky në të cilin Komuna e Lipjanit do të participojë me 137 mijë euro.

Ministri Kujtim Shala dhe kryetari Imri Ahmeti e vlerësuan lartë këtë projekt të përbashkët mes MKRS-së dhe Komunës së Lipjanit, me çka Lipjani do të bëhet me qendër rinore, e cila krijon kushte e lehtësira për zhvillimin e përgjithshëm të rinisë dhe do të vihet në dobi të aktiviteteve të tyre.

Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se kjo qendër rinore moderne, do të jetë edhe një mundësi më shumë për rininë e Lipjanit dhe si e tillë do të krijojë kushte moderne që rinia të mund të zhvillojë normalisht aktivitet e saj.

Ministri Shala po ashtu u shpreh se MKRS-ja është duke punuar ngushtë me komunat e Kosovës në funksion të përmirësimit të infrastrukturës për të ndihmuar aktivitet e të rinjve, si dhe në krijimin e mundësive bashkëkohore për zhvillim të mëtutjeshëm të tyre.

Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, sidomos në projekte të përbashkëta, të cilat janë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës në fushat me interes për rininë, kulturën dhe sportin.

Ai, po ashtu u shpreh se me këtë qendër për rinore, Lipjani përfiton një objekt modern, ku të rinjtë e këtij qyteti do të gjejnë një ambient të dinjitetshëm për të ushtruar aktivitet e tyre.

Prapa