Letra e Zv. Ministrit Hoti pushton “Politikën” e Beogradit

26.11.2015

Rexhep Hoti dhe Kryeakademiku serb Kostiq debatojnë në gazetën “Politika”. Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Rexhep Hoti i ka drejtuar një letër të hapur Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Z. Vladimir S. Kostić në të cilën i sugjeron disa pika veprimi që do të duhej të ndërmerreshin me qëllim të ecjes përpara të të dyja vendeve.

Gazeta beogradase “Politika”, që konsiderohet si më e njohura në Serbi dhe në rajon, e ka publikuar këtë debat mes zëvendësministrit Hoti dhe kryeakademikut Kostiq.

Nën titullin e përbashkët: “Provokim i ri nga Prishtina: Receta shqiptare për riedukimin e Serbisë”, gazeta “Politika” i ka publikuar idetë e Hotit dhe Kostiqit për të ardhmen e Serbisë në raport me Kosovën, duke i plasuar ato si artikull kryesor në ballinë dhe në tërë faqen 13.

Hoti i ka paraqitur kryeakademikut serb argumente rreth pozicionimit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës ku ka argumentuar përpjekjet dhe përkushtimin serioz të shtetit tonë për shtetndërtimin.

Vend të veçantë në letër zë edhe çështja e dialogut dhe e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Nën titullin e përbashkët: “Provokim i ri nga Prishtina: Receta shqiptare për riedukimin e Serbisë”, gazeta “Politika” i ka publikuar idetë e Hotit dhe Kostiqit për të ardhmen e Serbisë në raport me Kosovën, duke i plasuar ato si artikull kryesor në ballinë dhe në tërë faqen 13.

Vlen të theksohet se është hera e parë pas luftës në Kosovë që“Politika” e ballafaqon këtë problematikë e çështje si top temë në një formë shumë korrekte.

Më poshtë letra në tërësi e Zv. Ministrit Hoti drejtuar kryeakademikut serb, z. Vladimir S. Kostić:

I nderuar Kryetar,

Duke iu referuar qëndrimit tuaj se “Kosova nënkupton një pjesë të madhe të bazës kulturore serbe për të cilën duhet të luftojmë dhëmb për dhëmb. Mirëpo, gjërat janë të qarta. Ne mund ta gënjejmë veten, por është e qartë se Kosova nuk është më në duart e Serbisë”;

Duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit të përtashëm të Republikës së Serbisë, z. Aleksandar Vučić¹ “Më parë do të ik nga Qeveria e Serbisë sesa që do ta prish miqësinë me Gjermaninë”,

Kam shpresë se më në fund mund të fillohet të provohet komunikimi me klasën politike e intelektuale të Beogradit. Kjo nuk do të thotë se ajo është liruar nga e kaluara. Jo. Ajo shihet të ketë mbetur një relikte aktive e një regjimi të dikurshëm, shteti i të cilit në të kaluarën e afërt, i ka bërë shumë keq popullit të Kosovës dhe jo vetëm atij. Por nuk mund të mos themi se ajo nuk është duke provuar të ngrihet që të dialogojë me të tashmen, për t’i dhënë shpresë perspektives së saj.

Është e njohur se referimi i lartshënuar i kryeministrit serb ndërlidhet me kreun e 35-të, nëpërmjet të të cilit BE-ja i kërkon Serbisë të largohet përfundimisht nga Kosova, të caktohen kufijtë ndërshtetërorë me të dhe më shumë se kaq.

Natyrisht, pas shpalljes së pavarësisë dhe mbështetjes së Kosovës nga ndërkombëtarët, shtet i pavarur e sovran, Republika e Kosovës, përveç se e bart peshën ‘e çmimit’ për Ju, ajo, në mënyrë shumë përmasëshe, u shndërrua edhe në një ‘figurë magjike’, sfiduese, prej së cilës Ju po kërkoni:

E para, ta rirregulloni të ardhmen tuaj të helmuar prej një ‘identiteti të manipuluar’ mitik qindravjeçarë mesjetar;

E dyta, ta orientoni qenien dhe shpirtin serb në kohë dhe hapësirë të mijëvjeçarit të tretë, brenda vlerave dhe marrëdhënieve të pranuara dhe të provuara prej të gjitha shteteve e shoqërive demokratike dhe, në radhë të parë, prej vetë popullin serb;

E treta, ta vini në lëvizje mekanizmin e katarsisit të gjithanshëm shpirtëror për një Fillim të Ri Serb me të vërteta të botës reale nga e kaluara dhe e tashmja, apo e ardhmja;

E katërta, të riorientoheni përfundimisht nga Perëndimi, mundësisht me lëndime të pakta e të ndreqshme të raportit me Rusinë;

E pesta, që t’i përkufizoni interesat serbe në mënyrë demokratike pas luftërave disavjeçare në kuadër të ish-hapësirave të RSFJ-së, duke e synuar në perspektivë integrimin e Republikës Serbe të B&H-së brenda Republikës së Serbisë;

E gjashta, ta kuptimësoni Republikën e Kosovës në një çmim jo vetëm të denjë për krenarinë serbe të ‘humbjes së një pjese të territorit’, por, kjo ‘humbje’, të ketë edhe vlerë në shërbim të integrimit të avancuar të vendit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian;

E shtata, ta materializoni Republikën e Kosovës në vlerë dhe strategji ekonomike, tregtare e financiare për Serbinë, shtetin dhe qytetarët e saj;

E teta, ta poziciononi Republikën e Kosovës në kuadër të strategjisë së qartë për të garantuar sovranitetin e Serbisë si dhe në shërbim të funksionalizimit të parandalimit të separatizmit të mundshëm brenda saj,² kur është në pyetje Krahina Autonome e Vojvodinës, çështja hungareze dhe çështjet e etnive të tjera atje, çështja boshnjake dhe shqiptare në Sanxhak, çështja e Luginës së Preshevës etj.;

E nënta, që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, të ketë peshën formale politike për serbët³ në Kosovë, si një organizim i mëvetësishëm politik dhe etnik, proforma pa vendimmarrje ekzekutive e juridike;⁴

E dhjeta, që vendimet politike, etnike e strategjike të Asociacionit të gjejnë zbatim te komunat serbe apo te ato me shumicë serbe e, të cilat, realisht, e kanë fuqinë ekzekutuese e vendimmarrëse të minishteteve;⁵

E njëmbëdhjeta, që Beogradi, nëpërmjet Asociacionit, të ketë një qendër politike vendimmarrëse në Kosovë për të bashkërenduar strategjinë me komunitetin serb atje;⁶

E dymbëdhjeta, që Asociacioni të marrë peshë përballë Republikës së Kosovës, në mënyrë që jo vetëm t’ia ‘kontrollojë’ perspektivën Kosovës, por të jetë faktor me peshë për të vendosur në rrugëtimin e perspektivave të ardhshme të këtij shteti, deri në mundësinë e ndarjes apo të copëtim të mundshëm etnik të tij;

E trembëdhjeta, që Republika e Kosovës të punësojë mundësisht pjesën dërrmuese të të gjithë komunitetit serb në administratë shtetërore e publike, veçmas pjesën e cila ka shërbyer në shërbime dhe organe paralele të Serbisë në Kosovë;

E katërmbëdhjeta, që faktori serb brenda Republikës së Kosovës, ta ruajë fuqinë e garantuar kushtetuese prej dy të tretave të votës së tyre parlamentare, pa të cilat nuk është i mundshëm asnjë ndryshim kushtetues i rëndësishëm në kuadër të Republikës së Kosovës;⁷

E pesëmbëdhjeta, që Liqeni i Ujëmanit dhe pjesë strategjike të kufirit verilindor me Republikën e Kosovës të jenë në pronësi të Serbisë apo mundësisht edhe në interesa të saj;

E gjashtëmbëdhjeta, që perspektiva e ardhshme e mundshme shqiptare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dy shtete shqiptare de facto, të mos mund të formësohet pa involvimin e drejtpërdrejtë të serbëve etnikë të Kosovës⁸ dhe Republikës së Serbisë.


I nderuar Kryetar,

Janë këto disa prej pikave strategjike të cilat mund të lexohen në rrugëtimin e Republikës së Serbisë drejt ripërkufizimit të pozicioneve në kuadër të Ballkanit Perëndimor, drejt rirregullimeve të brendshme të shtetit serb⁹, si dhe drejt rirregullimit të raporteve të jashtme me perspektivë europiane dhe, në të njëjtën kohë, duke e ruajtur miqësinë e saj të natyrshme me Rusinë.

Mirëpo, në këtë rrugëtim një dekadë e gjysmë pas luftës në Kosovë, Serbia, me dashje apo pa të, ia ka dalë të zgjojë fuqishëm zërin e ndërgjegjes europiane në Kosovë, i cili zë ka filluar të kundërshtojë fuqishëm avancimin e mëtejmë të lirisë dhe të drejtës së privilegjuar ekskluzivisht për komunitetin etnik serb, në dëm të komuniteteve të tjera, si dhe në dëm të Republikës së Kosovës.

Me një fjalë, sot, Republika e Serbisë, sado në mënyrë ironike që do të mund të kuptimësojë konstatimi që vjen, është duke e rrezikua seriozisht komunitetin serb në Republikën e Kosovës dhe gjithë strategjinë e vet të bazuar në reformim dhe përfitim.

Sot, brenda këtij kundërshtimi në Kosovës nuk është më vetëm pjesa politike zyrtare e vendit, e cila është pozicionuar kundër lirisë dhe të drejtës së privilegjuar për komunitetin serb në dëm të etnive të tjera dhe në dëm të Republikës. Sot, nuk janë më vetëm shoqëria civile, mediet, apo organizma e institucione të tjera të pavarura kundër.

Sot, kundër lirisë dhe të drejtës së privilegjuar për komunitetin etnik serb në dëm të etnive të tjera dhe në dëm të Republikës, është sendërtuar në mënyrë të vetvetishme fryma dhe filozofia e opinionit dhe e interesit të gjerë publik gjithandej Republikës së Kosovës.

Kam frikë se kjo fuqi supreme e kësaj filozofie, e cila ndërtohet dhe formësohet me brishtësinë e fisnikërisë së ligjeve universale të veprimit të opinionit publik, i cili, në një shtet demokratik përfundon gjithmonë me arritjen e qëllimit të synuar apo, me të kundërtën e saj, me kthimin e proceseve prapa në tirani, në diktaturë, në anarki apo diçka të ngjashme.

Qofsha i gabuar!

Me këtë rast, për asnjë çast, nuk dua të them se vetëm koprracia politike serbe dhe papërgjegjësia politika e Beogradit dhe e klerikëve të saj të papërgjegjshëm për të kërkuar gjithnjë e më shumë në emër të asaj që mund të quhet serbe në Kosovë, apo në emër të ‘humbjes së saj’, e ka rënduar keq masën kritike për komunitetin etnik të privilegjuar në Kosovë dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Brenda politikave të tilla ka gabime edhe në Prishtinë, e, veçmas, në Bruksel. Por e vërteta është se tashmë ka filluar të bëhet e njohur masa e së vërtetës se, liria dhe e drejta e privilegjuar ekskluzivisht për komunitetin serb në dëm të komuniteteve të tjera dhe në dëm të Republikës, duhet të ketë një fund.

Republika, pas miratimit të vendimit në Kuvendin e saj për ta vënë në tryezën e Gjykatës Ndërkombëtare ‘Dosjen’ e dyshimeve për krime lufte në Kosovë, pjesë ekskluzive e së cilës ‘Dosje’ janë institucionet dhe sistemi Juaj shtetëror, e ka ngritur zërin kundër shkatërrimit të rendit multietnik dhe kundër rendit kushtetues në Republikën e Kosovës. Dhe është e dukshme se e vërteta është në anën e tyre.

Kjo do të thotë se Republika e Kosovës s’ka asgjë për të fshehur, pavarësisht se forma e shprehjes dhe e kundërshtimit, në raste të caktuara prej qarqeve të caktuara politike, është e papranueshme, në raste, e dhunshme e naive.

Por kjo nuk e mohon realitetin e diskutuar të kauzës që e kërkon zgjidhjen, pavarësisht se politika të caktuara mund t’ia huqin në kuptimin e shprehjes së mjeteve dhe të formës për ta shprehur mospajtimin apo për t’ia arritur qëllimin.


I nderuar Kryetar,

Fushata e egër e Serbisë me rastin e UNESCO-s për ta prezantuar Kosovën vetëm si krijim serb, si histori dhe trashëgimi serbe, si pjesë të Serbisë, mendoj se ishte njëri prej gabimeve më të dëmshme që ka bërë Serbia që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

Kërcënimi i kreut të politikës serbe dhe Kishës Serbe (në Kosovë dhe në Serbi) se Kosovën do ta mbrojnë edhe me luftë, janë retorika që e dëmtojnë komunitetin serb në Kosovë dhe perspektivën e shtetit tuaj.

Nuk është e debatueshme se Republika e Kosovës ka edhe shumë për të bërë në:

  • Konsolidimin e klasës politike;¹⁰
  • Konsolidimin e demokracisë dhe
  • Konsolidimin e shteti ligjor.


Por, për asnjë çast, nuk mund të vihen në mëdyshje angazhimet dhe orientimet e Prishtinës për të përmbushur detyrimet ndaj shtetit, ndaj qytetarëve, si dhe për t’i përmbushur përgjegjësitë dhe obligimet ndaj proceseve integruese euroatlantike.

Mund të themi se Republika e Kosovës, me garantimin kushtetues të lirive dhe të të drejtave të privilegjuara për komunitetin etnik serb në Kosovë, në shtrirjen horizontale e vertikale, ka pozicion shumë më të favorshëm sesa Republika Juaj, sepse:

E para, komuniteti serb në Kosovë, apo një pjesë, mund të mos i njohë institucionet e Republikës së Kosovës, mund të mos ketë vullnet për t’u integruar brenda tyre, por kjo nuk e mohon realitetin e dhënë se serbët në Kosovë i kanë të garantuar me Kushtetutë e me Pako të Ahtisaar-it, në mënyrë të privilegjuar, të drejtat dhe liritë e tyre në të gjitha rrafshet dhe në të gjitha aspektet e shtetit, të shoqërisë, të institucioneve të pavarura, të medieve etj;¹¹

E dyta, dialogu, në shikim të përgjithshëm, është në shërbim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të të dyja shteteve, i cili, në fund të fundit, nuk është duke u ndërtuar që njëra palë të humbë e tjetra të fitojë. Besoj se dialogu është në shërbim të avancimit të perspektivave për të dyja shtetet dhe qytetarët e tyre;

E treta, dialogu është bërë pa kushte prej Republikës së Kosovës, çfarë do të thotë se Kosova nuk ka kërkuar prej Jush që të distancoheni nga e kaluara e Juaj dhe nga e keqja që ia keni bërë popullit të saj. Kjo është çështje e Juaja dhe mirë është që nuk është kërkuar asgjë. Madje, as edhe një kërkimfaljeje për të keqen që ia keni bërë popullit të Kosovës;

E katërta, në tërësinë e të gjitha thelbeve të dialogut, shikuar në strukturë dhe shtresime të ndryshme, dialogu, në radhë të parë, është në shërbim të Republikës së Serbisë dhe të komunitetit etnik serb në Kosovë e, më pas, edhe në shërbim të Republikës së Kosovës;

E pesta, për Republikën e Kosovës, vetëm rruga e interesave për komunitetin serb kalon kah Beogradi dhe e vërteta e vullnetit që të kemi rahati me fqinjin;

E gjashta, dialogu për palën e Kosovës shpreh vullnetin e mirë të saj, e cila e dëshmon edhe lojalitetin e klasës politike ndaj Brukselit dhe Uashingtonit, vullnetin për t’u integruar në proceset euroatlantike dhe fuqizimin e vullnetit të mirë në shërbim të komunitetit etnik serb në Kosovë, për Kishat dhe trashëgiminë e tyre, të çmuar e të shenjtë, dhe për të gjitha aspektet e tjera të garantuara me Kushtetutën e Republikës dhe me Pakon e Ahtisaar-it;

E shtata, dhunimi dhe pushtimi i një pjese të veriut të Republikës së Kosovës prej bandave dhe prej Republikë së Serbisë, siç është një pjesë e Mitrovicës, komuna e Zubin-Potokut, e Leposaviqit dhe e Zveçanit, (mbajtja e zgjedhjeve lokale atje është një përpjekje dhe një hap shumë i mirë i tyre për t’u integruar në institucione dhe në sistemin unik të Republikës së Kosovës), është një çështje e cila në strategjinë e Republikës së Kosovës ka hyrë për t’u zgjidhur me mjete paqësore e demokratike. Çka do të thotë se në atë pjesë të vendit përderisa nuk do të ketë përparim substancial, Republikës së Kosovës do t’i duhet një fuqizim ‘i murit’ të sundimit të ligjit për të parandaluar kontrabandën, trafikimet e aspekte të tjera negative e kriminale (shqiptarët në atë anë nuk përjashtohen nga këto dukuri negative, çka do të thotë se ajo pjesë është integruar tashmë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, vetëm se në rrafshin dhe botën kriminale). Kjo do të thotë se në qoftë se pjesët e lartpërmendura do të kenë vullnet të qëndrojnë në atë geto, do të jetë zgjidhja e tyre, Republika e Kosovës ka kohë të mjaftueshme për t’i pritur qytetarët e kësaj ane në mënyrë që ata, në mënyrë të vullnetshme, të integrohen brenda sistemit unik të Republikës së Kosovës;¹²

E teta, në paraqitjet publike prej klasës politike në Beograd, kryesisht të asaj në pushtet, e keni marrë rolin e viktimës në raport me të gjitha proceset e rëndësishme që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës, në raste të caktuar keni retorikë të skajshme, gjer në kërcënime të hapura. Me një fjalë, politika në pushtet e Beogradit nuk është ende në gjendje kondicionale për të komunikuar me Republikën e Kosovës, me njerëzit e saj, me një normalitet fqinjësor, politik, diplomatik e protokollar pa praninë e palës së tretë.


I nderuar Kryetar,

Rrugët, e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, mund të mos takohen. Por, në vend që të paraqesim fakte dhe argumente të tilla, më lejoni t’ju kujtoj se vetëm dalja juaj në bregdetin shqiptar nëpërmjet autostradës së Rrugës së Kombit – Merdar-Prishtinë-Durrës, e bërë me të hollat ekskluzive të shqiptarëve, që, për rrethana ekonomike të Europës, janë më të varfëritë e saj, paraqet kreun e ri për interesa strategjike të shtetit serb, për të cilat dje keni luftuar, vetëm e vetëm për të siguruar një dalje në ujërat e hapura. Sot mund të kaloni nëpër këtë rrugë pa asnjë pengesën dhe pa e bërë asnjë luftë. Dhe më shumë sesa kaq. Dhe për ta realizuar këtë Ju nevojitet vetëm një vullnet i mirë i fqinjësisë.

Serbia, sot prej Republikës së Kosovës, mbledh afërsisht 700 milionë deri në 1 miliard euro kesh për çdo vjet, pa hyrë në statistikat e tregjeve tjera të shqiptarëve në rajon. Çka do të thotë se, në kuptimin ekonomik e tregtar, shqiptarët janë një minierë për ekonominë dhe mirëqenien e shtetit dhe të qytetarëve tuaj.

Kjo do të thotë se Republika e Serbisë nuk e ka ushqyer dhe nuk është duke e ushqyer vetëm shpirtin e saj nëpërmjet kulturës së trashëgimisë serbe në Kosovë, por ajo, nëpërmjet Republikës së Kosovës, është duke i ushqyer edhe barkun e saj.

Dhe, pavarësisht nga e keqja që shteti serb i ka bërë popullit shqiptar, ende, askush, seriozisht nuk e ka kontestuar këtë bashkëpunim me Serbinë¹³ dhe tregtinë e saj të lirë me shqiptarët në përgjithësi e, veçmas, me ata të Kosovës, të cilët, vetëm 15 vjet më parë, provoi t’i lëvronte të gjithë.

Me këtë rast, nuk dua të paramendoj një refuzim të shqiptarëve ndaj tregut dhe prodhimeve të shtetit tuaj. E Serbia Juaj pothuaj nuk konsumon asgjë shqiptare ndërkaq.

Nuk do të dëshiroja që të ndodhte një shpërfillje e madhe në Kosovë ndaj komunitetit serb prej komunitetit shumicë shqiptar. Në një kahe të tillë të proceseve politike, komunitetin etnik serb do ta mbyste izolimi dhe vetmia në Republikën e Kosovës.

Dhe krejt në fund, më lejoni t’ju them se shqiptarët e, në veçanti, Republika e Kosovës, janë partnerët më strategjikë për Republikën e Serbisë.

Po, Republika e Kosovës është figura magjike që mund t’i sjellë shumë të mira, jo vetëm ekonomike, shtetit të Serbisë, por:

Jo duke e luftuar Republikën e Kosovës!

Jo duke e parë atë ekskluzivisht si vetëm serbe!

Jo duke u përpjekur për ta izoluar!

Jo duke e kërcënuar!

Jo duke e copëtuar!

Jo duke e shantazhuar!

Republika e Kosovës, e tërë dhe unike, është në të vërtetë gardiani i ruajtjes së sovranitetit të Republikës së Serbisë.

Ajo mendje politike e intelektuale serbe që nuk e ka kuptuar këtë të vërtetë sot, nuk besoj se do të jetë në gjendje për t’i kuptuar interesat e shtetit të vet nesër.

Shqiptarët, duke jetuar në pesë shtete rajonale, aty ku janë dhe jetojnë ata, janë kompakt në shtrirjen e tyre etnike, nuk bënë kurrë luftëra për t’i pushtuar të tjerët. As për t’i shkatërruar pesë shtete në mënyrë që të jetonin në një shtet të vetëm!

Ata sot janë shndërruar në faktor boshtor të stabilitetit dhe të bashkëpunimit jo vetëm në shtetet ku ndodhen, por edhe faktor kyç i bashkërendimit të perspektivave fqinjësore e rajonale.

Prandaj nuk është i rastësishëm avancimi i marrëdhënieve më të mira ndërmjet Republikës së Kosovës me shtetet fqinje si Malin e Zi e Maqedoninë, sesa që Republika e Serbisë i ka me to. E kush do ta besonte deri dje?! Dhe ky realitet është i tillë për herë të parë që nga koha e mesjetës së hershme.

Kjo do të thotë se shqiptarëve nuk u ka penguar liria dhe e drejta e të tjerëve, por kanë kërkuar liri dhe të drejtë edhe për vete.

Integrimi euroatlantik për shqiptarët është detyrë shtëpie, është natyralistet, sepse ata janë populli autokton i Europës. E përse njeriu të mos jetë i integruar brenda vetvetes?!

Republika e Serbisë, vetëm mund të fitojë prej shqiptarëve, prej Republikës së Kosovës.



Me respekt,
Rexhep Hoti
Zëvendës Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit



Fusnotat:
¹ Pavarësisht se Aleksandar Vučić dhe Ivica Dačić, njëri ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Vojislav Šešelj-it e tjetri i Slobodan Milošević-it, që të dy të akuzuar për krime kundër njerëzimit, mbeten përzgjedhjeje e popullit serb se kush do ta drejtojë atë në perspektivë.
2 Duke marrë parasysh strukturën etnike të Republikës së Serbisë, ajo mund të rrezikojë që të shpërbëhet apo të bosnizohet fare lehtë në një të ardhme jo të largët. Kjo mund të ndodhë edhe për faktin se Serbia ka shpërbërë shtete të tjera dhe tashmë ky fenomen mund t’i kthehet asaj brenda vetvetes, aq më tepër që struktura etnike dhe shtrija e saj në këtë shtet është e favorshme për ndarje dhe nënndarje të reja. Në këtë pikë strategjike, sovraniteti i Republikës së Kosovës ka peshë të madhe edhe për vetë Republikën e Serbisë.
3 Në të njëjtën kohë, t’i ofrojë arsyetim të fuqishëm faktorit të brendshëm në Serbi.
4 Jo se shqiptarët nuk pranojnë, por serbët nuk duan, për të mos mbjellë një organizëm të tillë juridik, që do ta prishte vetë sovranitetin e Serbisë. Shqiptarët e Kosovës në parim mund të bisedojnë me Beogradin për çdo opsion të mundshëm të rirregullimit të marrëdhënieve ndërshtetërore.
5 Këtë fuqi ua garanton Pakoja e Ahtisaar-it.
6 Liria e garantuar kushtetuese për komunitetit etnik serb në Kosovë kap përmasa të një lirie dhe të një drejte të privilegjuar, e cila është e njëhershme (unikate) në botën e sotme. Një serb është sot në Kosovë më serb sesa në Serbi, si në aspektin etnik, kombëtare, fetar, gjuhësor, gjinor, social, juridik, ekonomik, politik etj.
7 Kjo është arma më e fuqishme e Beogradit në Kosovë dhe kjo është pika më e dëmshme e Pakos së Ahtisaar-it në krejt filozofinë e ndërtimit të saj gjenial.
8 Garantimi kushtetues i votave të komunitetit etnik serb prej dy të tretave, si dhe Asociacioni së fundi.
9 Liria e mendimit dhe e shprehjes është ende një problem shumë serioz në Serbi.
10 Kosova vazhdon të determinohet në politikë, në institucione shtetërore e të pavarura, në administratë, në shoqërinë civile dhe në media prej dy mendësive të saj kryesore: prej mendësisë së logjikë së komandantëve dhe prej mendësisë së logjikës jugosllave. Identiteti i saj i vërtetë shqiptar europian ende është larg konsolidimit në rrafshet e përmendura më lart.
11 Është shumë e vërtetë se implementimi i këtyre të drejtave ka vështirësi, por kjo nuk është bërë enkas apo vetëm për një komunitet në asnjë rast.
12 Për sa kohë që Republika e Serbisë do të jetë e pranishme në ato pjesë, ajo do të jetë pushtuese e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe një gjë të tillë nuk do ta pranojë kurrë rendi demokratik botëror, ashtu siç e ka bërë të qartë në Beograd edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel.
13 Përjashto Lëvizjen Vetëvendosje

Prapa