Përurohet fusha dhe palestra sportive në Gjakovë

23.11.2015


Sot, në Komunën e Gjakovës është bërë përurimi i një fushe futbolli si dhe përurimi i renovimit të palestrës së sporteve “Shani Nushi” , projekte këto të Bashkimit Evropian, të përkrahura edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 

Zëvendësministri Hoti, i cili mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fushës dhe palestrës tha se projekte të tilla të cilat kanë për qëllim avancimin e sportit nëpërmjet ndërtimit te kapaciteve, kanë rëndësi të madhe.

 

Ai tha se një investim i tillë i Bashkimit Evropian do ti ndihmojë shumë qytetarëve të Komunës së Gjakovës.

 

Zëvendësministri Hoti përgëzoi kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila për përkushtimin e saj  që Gjakova të përfshihet në projekte të mëdha të tilla jo vetëm në avancimin e sportit, por edhe më gjerë.

 

Kurse, Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila foli për rëndësinë e të dyja projekteve si dhe falënderoi Bashkimin Evropian dhe MKRS-në për përkrahjen në avancimin e sportit në këtë komunë.

 

Kusari-Lila u shpreh se projekte të tilla të mëdha janë shumë të rëndësishme për Komunën e Gjakovës.

 

Ndërkaq, udhëheqës i bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock tha se fusha sportive e ndërtuar në Komunën e Gjakovës është realizuar duke ju përshtatur standardeve të UEFA-së.  

 

Stock tha se dy projektet për fushën dhe palestrën nuk janë projektet e vetme në të cilat BE-ja po investon në Gjakovë. Ai premtoi se Gjakova do të jetë një nga Komunat ku do të ketë prapë investime tjera të llojit të tillë. 


 

Prapa