Kosova dhe Turqia me bashkëpunim të gjerë në fushën e kulturës

05.11.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot ministrin turk të Kulturës dhe të Turizmit, Yalçin Topçu, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet mes dy shteteve në fusha të ndryshme, veçmas në kulturë e turizëm.

Ministri Yalçin Topçu e falënderoi ministrin Shala për mikpritjen dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin e Qeverisë turke që edhe në të ardhmen të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, sidomos në procesin e anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, siç është tani procesi i UNESCO-s.

Po ashtu, ministri turk Topçu foli për nevojën që Kosova të forcojë paqen dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, në të mirë të një rajoni më të qetë dhe më stabil.

Ministri turk Topçu u shpreh për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, edukimit dhe ekonomisë, si dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në këto fusha.

Ministri Shala e falënderoi ministrin Topçu për vizitën në Kosovë, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i jep Kosovës në shumë fusha, para si dhe nga procesi i pavarësimit e këndej, duke vënë theksin sidomos te ndihma që i jepet Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ministri Shala gjithashtu u shpreh se bashkëpunimi me Turqinë ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe krijon bazë për bashkëpunime në shumë fusha me rëndësi.

Ministri Shala theksoi se Kosova ka të përcaktuar rrugën e saj politike, që është integrimi në strukturat euro-atlantike, dhe në këtë pikë, perspektivat e dy vendeve tona janë të përbashkëta.

Ndërmjet ministrit Shala dhe atij turk Topçu u bisedua edhe për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore. Në këtë pikë, Shala përmendi ndihmën e vazhdueshme që TIKA dhe agjenci të tjera turke i kanë dhënë trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Prapa