Panairi i të rinjve, mundësi për shkëmbim të përvojave

28.09.2015

Në Sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të Kalendarit të Përbashkët Kosovë – Shqipëri në fushën e rinisë, është hapur panairi i organizatave rinore të dy vendeve, i cili zhvillohet edhe në vazhdën e “Ditëve të Rinisë 2015”.

Rreth 30 qendra rinore nga Kosova e Shqipëria sot dhe nesër do të bëjnë prezantimin e aktiviteteve dhe do të shkëmbejnë përvojat mes tyre.

Në hapjen zyrtare të panairit morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësues të organizatave rinore që janë aktive në të dy vendet.

Hapjen e panairit, në emër të MKRS-së, e bëri këshilltari për rini, Faton Peci, i cili përcolli përshëndetjet e ministrit Kujtim Shala për këtë ngjarje. Peci, tha se ky aktivitet dhe shumë të tjera që janë organizuar gjatë “Ditëve të Rinisë” janë mbështetur nga MKRS-ja.

Peci, konsideroi se panairi është një mundësi e shkëmbimit të përvojave mes të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe tha se tani kemi hyrë në një vlug të punës përmes aktiviteteve rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e rinisë.

Kurse, Jehona Roga, përfaqësuese nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë, ky aktivitet po zhvillohet në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Kosovës e Shqipërisë.

“Me besimin që dy vendet tona do të kenë një partneritet të mirëfilltë, shoqatat do jenë sa më bashkëpunuese mes vete, që të jemi sa më aktivë në programet e rinisë në kuadër të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Implementues i këtij panairi që u hap sot, është Rrjeti i Qendrave Rinore të Kosovës. Përfaqësuesja e kësaj organizate, Krenare Gashi tha se përmes këtij organizimi synojnë që rinia e të dy vendeve të njihet e afrohet më shumë.

Prapa