Hoti mbështet ardhjen e Boopit në shqip

25.09.2015

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka pritur në takim historianin dhe aktivistin Altin Kocaqi, i cili pritet t’i sjellë në shqip veprën e shkencëtarit të gjuhësisë evropiane, gjermanin Franc Boop, që ka mbrojtur tezën se shqipja është gjuhë më e vjetër se greqishtja e vjetër dhe sanskritja, si dhe veprën e arvanitasit Panajot Kupitori.

Hoti e ka falënderuar historianin Kocaqi për angazhimin dhe kontributin që ai po jep për kulturën dhe gjuhën shqipe. Hoti ka thënë se Ministria e Kulturës, por edhe ai vet personalisht, do të angazhohen për të botuar shkencëtarët e gjuhësisë me nam botërorë, që kanë dhënë kontribut të pashoq edhe për gjuhën shqipe.

“Publikisht zotohem se shumë shpejt do të gjejmë financimet për të botuar në gjuhën shqipe babain dhe njërin prej shkencëtarëve me të shquar të gjuhësisë evropiane dhe më gjerë, Franc Boop-in, arvanitasin Panajoti Kupitorin dhe shkencëtarët tjerë të lënë në harresë. Përgëzoj Altin Kocaqin dhe të gjithë historianët e aktivistët”, u shpreh zëvendësministri Hoti.

Zëvendësministri pos tjerash e informoi Kocaqin edhe për projektet dhe politikat që ka dhe përkrah MKRS-ja në lidhje me botimin dhe librit i cili vazhdimisht është rritur vit pas viti.

Ndërkaq, historiani Altin Kocaqi, e falënderoi zëvendësministrin Hoti për pritjen, duke e shprehur gëzimin për gatishmërinë e Hotit dhe MKRS-së për të mbështetur botimet që kanë të bëjnë me kulturën dhe gjuhën shqipe.

“Babai i shkencës së gjuhësisë, gjermani Franc Boop, i cili njihet ndryshe edhe si autori që krijoi ‘pemën e gjuhëve’, ka ngritur në piedestal gjuhën shqipe duke e argumentuar se është shumë më e vjetër se greqishtja e vjetër, latinishtja dhe sanskritja, nuk është botuar ende në gjuhën shqipe, por ky fakt pritet të ndryshojë së shpejti”, tha Kocaqi.

Rasti i njëjtë është edhe me mos përkthimin e shkencëtarit të shquar arvanitas, Panajoti Kupitori dhe shumë shkencëtarëve të tjerë, tha ai.

Sipas tij, puna e tij dhe e grupit që po merret me përkthimet e shkencëtarëve të lënë në harresë, vetëm se do të intensifikohet. Gjuha shqipe, si njëra prej gjuhëve më të vjetra në botë dhe më e veçanta, pa asnjë lidhje me gjuhët e tjera bashkëkohore, ka bërë që shumë shkencëtarë ta studiojnë me detaje dhe të hedhin teza të ndryshme për origjinën, zhvillimin dhe ruajtjen e saj.

Prapa