Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të akademik Mark Krasniqit

28.08.2015

E nderuara familje Krasniqi,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e akademikut të çmuar, Mark Krasniqit.

Vdekja e akademik Mark Krasniqit është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët, shkrimtarët dhe dijetarët.

Mark Krasniqi mbetet ikonë e Kosovës moderne, ndërsa puna e tij në fushën e kulturës, dijes, shkencës, letërsisë dhe të politikës, është jashtëzakonisht e madhe dhe si i tillë do të vlerësohet brez pas brezi.

Ai ishte një veprimtar dhe udhëheqës i devotshëm në rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Me veprimtarinë letrare në fushën e poezisë për fëmijë, Krasniqi mbetet një autor i rëndësishëm i letërsisë shqipe, ndërsa me vargjet e shkruara me dashuri për jetën dhe të bukurën, ai u bë autor i lexuar.

Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të akademikut, udhëheqësit dhe shkrimtarit, Mark Krasniqi.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të akademik Mark Krasniqit!


Sinqerisht,
Kujtim Shala
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Prapa