Hoti priti në takim eurodeputeten Julie Ward

25.08.2015

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, bashkë me drejtorët e Departamenteve të Kulturës e Rinisë, ka pritur në takim eurodeputeten Julie Ward, përfaqësuese e Mbretërisë së Bashkuar në Parlamentin Evropian.

Hoti, duke i dëshiruar mirëseardhje eurodeputetes, u ndal edhe në falënderimin për rolin e madh që ka dhënë dhe është duke e dhënë Britania e Madhe për Republikën e Kosovës.

Duke qenë se kjo ishte vizita e parë e eurodeputetes Ward në vendin tonë,
zëvendësministri e ka informuar znj. Ward për sfidat dhe të arriturat e shtetndërtimit të Kosovës, veçanërisht me punën, kontributin dhe programet që mbështet MKRS-ja në këtë drejtim, të ngritjes së kapaciteteve shtetërore. Ai e ka njoftuar europarlamentaren për punën në fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë, të cilat i mbulon ministria, infrastrukturën ligjore me të cilat rregullohen këto fusha e deri te projektet konkrete.

Me theks, Hoti e njoftoi eurodeputeten me punën dhe përpilimin e bazës ligjore në interes të të rinjve të vendit, mbi Strategjinë Kosovare dhe Planin e Veprimit për të Rinjtë e deri te përkrahja e projekteve që prekin drejtpërdrejt të rinjtë në të mirë të zhvillimit dhe avancimit të tyre.

Duke e marrë në konsideratë edhe angazhimin e madh të znj. Ward në drejtim të Shoqërisë Civile, zëvendësministri Hoti, theksoi se prioritet i ministrisë është pikërisht kjo fushë për të cilën ende nuk ka fonde të mjaftueshme. Sado që MKRS-ja është duke kontribuuar në përkrahjen konkrete përmes projekteve të ndryshme të Shoqërisë Civile mbetet ende shumë për t’u bërë.

Ndër të tjera, Hoti ka thënë se ne si shtet i ri dhe i vogël kemi vështirësi të shumta, duke thënë se Kosova tashmë ndodhet në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në UNESCO. Ai përmendi edhe kufizimin e lirisë së lëvizjes për në Evropë, me theks të vuri në pah se është goditur rinia e Kosovës e cila përbën shumicën e popullatës së vendit.

“Ndonëse e kemi Evropën brenda edhe në kuptimin ekzekutiv të fjalës , ne vazhdojmë të jemi vendi më i izoluar në Evropë dhe të mbesim pa viza”, është shprehur Hoti

Ndërkaq, eurodeputetja Ward, duke e falënderuar zëvendësministrin Hoti për pritjen, u shpreh se është impresionuar nga vizita e saj në Kosovë. Ajo tha se po qëndron në Kosovë për të mësuar më shumë për kulturën dhe traditën tonë.

Krejt në fund, eurodeputetja premtoi se do të jetë një zë i fuqishëm në përkrahjen e interesave të Kosovës në Parlamentin Evropian, në çështjen e liberalizimit të vizave si dhe për thellim të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe ndihmës për MKRS-në në PE.



Prapa