Reagim: Krijuesit dhe performuesit nuk janë shërbyes civil

20.08.2015

Në shkrimin e sotëm me titull “Ministria e Kulturës ka shpikur titullin “Doajen i Ansamblit”, të botuar në gazetën Koha Ditore, gazetari Shaban Maxharraj pretendon gabimisht për mungesë baze ligjore në rastin e dhënies së titullit “Doajen i Ansamblit” këngëtarit Ismet Bogujevci.

MKRS-ja dëshiron të sqarojë se z. Bogujevci nuk është shërbyes civil, por performues dhe një fakt të tillë do duhej ta dinte çdo gazetar që pretendon të shkruajë për kulturën dhe për institucionet e kulturës.

Titulli i akorduar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, Doajen i Ansamblit, për këngëtarin e njohur Ismet Boujevci, është një epitet dhe, po ashtu, është në përputhje të plotë me bazën ligjore.

Duam të sqarojmë se, Ministri, Sekretari i Përgjithshëm ose/dhe ministria përkatëse ka kompetenca ekzekutive për përkrahjen dhe mbështetjen e iniciativave të arsyeshme, qofshin ato nga institucionet vartëse, individët dhe organizatat që kanë mision dhe qëllim aktivitetin që mbulon MKRS-ja. Doajen i Ansamblit është çmim që i takon artistit më të spikatur, në këtë rast në kuadër të Ansamblit “Shota”. Për këtë titull, MKRS-ja ka akorduar një shtesë simbolike, e cila e ka bazën në Rregulloren nr. 5/2011 për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore. Gjithashtu, rregullorja në fjalë precizon: Neni 17, Pagesat shtesë mbi pagën bazë, 4. Format tjera të pagesave shtesë bëhen sipas dispozitave përkatëse të Ligjit të Punës nr. 03/L-212 dhe Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil Nr. 03/L-147.

MKRS-ja shprehet e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha mediet, me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve të Kosovës dhe në dobi të opinionit publik.

Prapa