Orientimet politike të MKRS-së nuk përcaktohen nga agjendat e pronarëve të medieve dhe nga shpifjet e qëllimshme të gazetarëve

19.08.2015

Gazeta “Zëri” ka vazhduar të shpif ndaj zëvendëskryeministrit dhe ministrit Shala. Artikulli “Garda” e ministrit Shala, i botuar sot në të përditshëm “Zëri”, me autor gazetarin Enis Veliu, është një shpifje e radhës dhe tendencë për të njollosur figurën e ministrit Shala.

Pas shpifjes së dy ditëve më parë, për të cilën MKRS-ja i është drejtuar Komisionit të Pavarur për Media, Këshillit të Mediave të Shkruara dhe për të cilën do të ushtrojë padi për shpifje, dhe reagimin për të cilën “Zëri” e ka shoqëruar me një shpifje të re, kinse si sqarim, i njëjti gazetar jep emra të të angazhuarve me kontratë mbi shërbime të veçanta dhe shpif duke i lidhur ata me ministrin. Të gjithë të apostrofuarit janë shërbyes civilë dhe janë angazhuar në bazë të sektorëve dhe të institucioneve përkatëse, si dhe në bazë të ligjit. Pretendimi se nuk janë respektuar procedurat, është shpifje e gazetarit Enis Veliu.

Po ashtu, dëshirojmë të sqarojmë se kontratat mbi shënimet e veçanta nuk janë punësime, por angazhime të përkohshme. Edhe për këtë fakt gazeta ka shpifur.

MKRS-ja edhe për këtë shpifje do t’i drejtohet Komisionit të Pavarur për Media, Këshillit të Mediave të Shkruara dhe do të ushtrojë padi për shpifje dhe denigrim të qëllimshëm.

MKRS-ja dëshiron të sqarojë se orientimet politike të MKRS-së në asnjë rast nuk do të përcaktohen nga agjendat e pronarëve të medieve e as nga shpifjet e gazetarëve që u shërbejnë këtyre agjendave. Pretendimet që ka, secili duhet të tentojë t’i realizojë ndershëm dhe në rrugë normale, përfshirë pronarët e medieve, drejtuesit dhe gazetarët.

Prapa