Ministri Shala vizitoi lokalitetin arkeologjik në Vrellë të Istogut

07.07.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, sot i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, vizitoi Vrellën e Istogut, ku së fundi janë bërë gërmime me rëndësi arkeologjike për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Pas zbulimeve të rëndësishme që ka bërë Instituti Arkeologjik i Kosovës në këtë vendbanim, ministri Shala u interesua t’i shoh për së afërmi të gjeturat në këtë vend.

Zbulimet në këtë vend, tregojnë se bëhet fjalë për një vendbanim të hershëm, ku vërehen gjurmët banimit që nga periudha e antikës së vonshme dhe të mesjetës së hershme.

“Këto të gjetura janë me vlerë për trashëgiminë kulturore të Kosovës”, tha ministri Shala dhe shtoi se ministria që drejton ai “është e interesuar jashtëzakonisht shumë për të gjurmuar vendbanime me rëndësi, që dëshmojnë gjurmë të hershme të Dardanisë Antike.”

Ministri Shala po ashtu u zotua se do të ndihmojë programin e Institutit të Arkeologjisë së Kosovës për sa më shumë gjurmime dhe konservim të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, theksoi se në kuadër të mbështetjes së Institutit Arkeologjik të Kosovës, Komuna ka përkrahur punën që bën IAK dhe tregoi se do të botohet një libër me të dhëna arkeologjike për Istogun. Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi me MKRS-në është i mirëpritur dhe pret që ai të rritet edhe më tej në të ardhmen.

Prapa