E mban fjalën

24.10.2011

Fatos SHALA

Postuar më, 22  qershor 2011 - E ka mbajtur fjalën, kur ka thënë se do të rregullojë statusin juridik dhe financiar të mbi 300 krijuesve, performuesve dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Memli Krasniqi, kishte thënë se do ta bënte këtë për 100 ditë, dhe vendimi tashmë është marrë. Megjithëkëtë, ministri ka trashëguar shumë probleme në kulturë, sport dhe në përkrahje të rinisë. Mirëpo, ish-këngëtari i zhanrit rep thotë se ka një vizion të qartë se si t'i zgjidh problemet, por thotë se gjërat nuk rregullohen përnjëherë  apo për 100 ditë. Paralajmëron rritje të buxhetit vitin e ardhshëm dhe, me këtë, zhvillime edhe më të mëdha në lëmin që mbulon dikasteri që e drejton.

Lajm: Ministër, e dimë që e keni rritur buxhetin për ministrinë, por ende mund të themi se nuk ka një ndarje fondesh të kënaqshme për këtë dikaster. Sa është vështirë të menaxhohet një dikaster që mbulon shumë fusha me këtë buxhet?

Krasniqi: E kuptoj drejt atë që thoni rreth ndarjes së buxhetit, por dua të them se, megjithatë, ky hap shënon një zhvillim mjaft pozitiv për mbështetje dhe krijim të kushteve më të mira për komunitetin artistik, sportistët, rininë dhe, po ashtu, trashëgiminë kulturore. Natyrisht, për të pasur ndryshime pozitive, me gjithë buxhetin e vogël, nganjëherë një rëndësi mjaft të madhe ka edhe ajo se si menaxhohen ato para dhe sa ka angazhim për të përfituar donacione.

Rritja e buxhetit këtë vit ka qenë mbi 1 milion e 300 mijë euro dhe me këtë kemi arritur që t'i rritim investimet kapitale, sidomos në sport, e po ashtu të rregullojmë statusin legal dhe financiar për krijuesit, performuesit e kulturës dhe punonjësit profesionalë të trashëgimisë kulturore. Për këtë të fundit, mund të them se ka qenë prioritet imi kryesor, pasi kjo kategori për dhjetë vjet  ka punuar pa kontrata të rregullta dhe me paga modeste. Kjo gjë edhe po të arrihej gjatë mandatit, do të ishte një sukses mjaft i madh. Këtë e kemi bërë pa u mbushur plot 100 ditë nga marrja e detyrës. Rritja e pagave, që bëhet tash me një rregullore të miratuar në Qeveri, në shumë raste shkon deri në mbi 100 për qind. Të gjithë ata krijues dhe punonjës dua t'i uroj për kontratat e rregullta dhe pagat me rritje. Besoj se tashmë ata kanë motiv shumë të madh për të punuar edhe më shumë, për t'i sjellë vlera vendit. Dua të them se përkrahja jonë nuk do të mungojë në asnjë moment.

Lajm: Megjithëkëtë, ende ka shumë probleme në kulturë, po e them këtë duke u bazuar në telashet që dalin në shesh shpesh nëpër disa institucione kulturore…?

Krasniqi: Absolutisht, ende ka shumë sfida. Duhet të jemi realistë se gjërat nuk rregullohen brenda një nate apo brenda 100 ditëve. Në kuadër të të gjitha mundësive, u kemi ofruar institucioneve kulturore përkrahjen e plotë në të gjitha aktivitetet. E di që buxheti që ndahet për to nuk mjafton në raport me nevojat, por premtoj se do të ketë shtim të mjeteve vitin e ardhshëm. Gjithmonë ka nevojë për përmirësime. Ka nevojë për një koordinim dhe menaxhim më të mirë. E rëndësishme është që, para së gjithash, të respektohet ligji dhe puna të jetë në funksion të krijimit të vlerave kulturore, që ndikojnë edhe në përmirësimin e imazhit të vendit dhe, natyrisht, edhe në një avancim të artistëve tanë në zhvillimet kulturore globale.

E kam thënë në disa raste se vizioni im është që kulturën t'ua dorëzojmë njerëzve kompetentë për ta zhvilluar atë, pra artistëve dhe krijuesve në fusha të ndryshme të artit. Do të jemi lehtësues në çdo rrethanë ku kërkohet dhe është mundësia që të ndihmojmë.

Lajm: Nga ajo që keni parë deri tash, sa jeni të kënaqur me punën e institucioneve kulturore?

Krasniqi: Kuptohet që ka pasur mjaft vështirësi dhe mungesa e rezultateve në menaxhim, ndoshta, në disa raste edhe mund të kuptohet. Por, po them prapë se, megjithatë, ka vend për përmirësim. Siç e thashë, e rëndësishme është që të ketë një bashkëpunim më të madh nga të gjithë udhëheqësit e këtyre institucioneve dhe respektim të plotë të ligjit.

Lajm: Në sferën e kulturës vërehet se ka zhvillime pozitive, por në sport duket sikur gjërat nuk po ecin edhe aq mbarë, si në infrastrukturë apo edhe organizim. Ç'keni bërë në këtë drejtim?

Krasniqi: Kosova është një vend i vogël dhe ka sfida në shumë fusha. Ka qenë nevojë imediate për vendin që të bëhen investime në rrugë, shkolla, sundim të ligjit dhe bujqësi. Sa i përket infrastrukturës në sport, pajtohem se ka shumë probleme. Gjithsesi dua të them se këtë vit e kemi rritur shumën e mjeteve për investime kapitale që shkojnë direkt në rregullimin e infrastrukturës sportive, si në stadiume e palestra. Tanimë janë duke u bërë ndërtime të disa palestrave sportive, të cilat pritet të përfundojnë këtë vit. Edhe vitet e ardhshme do të kemi një fokus të veçantë në këtë drejtim. Përveç investimeve nga buxhetit i shtetit,  po punojmë edhe për gjetjen e donatorëve të ndryshëm. Ligji për sponsorizime dhe donacione, si dhe Ligji i ri për sport janë në fazën finale të hartimit në grupin punues qeveritar dhe presim që muajt e verës të miratohen në Qeveri, ndërsa shpresojmë shumë se në fund të vitit edhe në Kuvend. Qëllimi ynë në këto ligje ka qenë që ato të jenë të zbatueshme dhe të krijojnë mundësi për investime nga investitorë të ndryshëm dhe, gjithashtu, një organizim më të mirë.

Sa i përket organizimit, natyrisht, kjo është përgjegjësi e federatave, por jemi munduar që në kuadër të kompetencave të ndihmojmë në këtë aspekt. Një element mjaft i rëndësishëm që dua të përmend është se e kemi licencuar për herë të parë Federatën e Sportit Shkollor, e cila do të organizojë gara në shkolla dhe, kështu, sporti të masivizohet dhe të arrijmë të nxjerrim sa më shumë talente që do të na përfaqësojnë në garat ndërkombëtare. Në tërësi, organizimi i garave sportive në futboll, basketboll dhe në sporte të tjera është përgjegjësi e federatave, që janë institucione të pavarur me ligj. Nuk do të përzihemi në punën e tyre, por kjo nuk do të thotë se nuk do t'u ofrojmë përkrahje. Absolutisht, i kemi mbështetur me të gjitha mundësitë aktivitetet e tyre nëpërmjet konkursit për projekte dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen.

Lajm: Kur jemi te sporti, ndërkombëtarizimi është një proces që po duket mjaft i vështirë. Sa po punohet rreth kësaj çështjeje?

Krasniqi: Është angazhim i federatave që janë të pavarura. Gjithsesi nuk kemi qëndruar duarkryq, por kemi dhënë mbështetjen tonë të plotë. Vazhdimisht kemi punuar që të krijojmë lehtësira për federatat që t'i shtrojnë kërkesat e tyre para institucioneve ndërkombëtare sportive dhe po angazhohemi që të inkuadrojmë sportistë të famshëm si nga Kosova dhe vende të tjera, në mënyrë që me ndikimin e tyre kërkesa jonë për anëtarësim të merret shumë seriozisht në shqyrtim. Ky proces varet edhe nga zhvillimet politike, siç janë anëtarësimi i Kosovës në OKB. Shpresojmë se në një të ardhme të afërt do të ketë lajme të mira.

Lajm: Kosova ka shumë sportistë të dalluar që kanë treguar rezultate shumë pozitive në gara të ndryshme ndërkombëtare. Sa u ka dhënë ministria mbështetje këtyre sportistëve?

Krasniqi:
Ndoshta e mbani mend që, qysh në fillim të punës sime, një nga angazhimet e mia kryesore ka qenë sigurimi i kushteve të nevojshme për xhudisten Majlinda Kelmendi. Dhe këtë e kemi arritur. Dua ta falënderoj edhe sektorin privat që ka dhënë përkrahje për Majlindën. Pres që Majlinda të ketë rezultate mjaft pozitive dhe, në fakt, këtë e ka dëshmuar edhe këto ditë në Lisbonë, ku mori medalje të bronztë.
Natyrisht, nuk ka qenë vetëm Majlinda Kelmendi që është mbështetur nga Ministria. Edhe sportistë të tjerë, klube të futbollit, boksit, karatesë e shumë sporte të tjera e kanë pasur mbështetjen tonë për pjesëmarrje në gara dhe turne të ndryshme ndërkombëtare. Edhe më tutje do të vazhdojmë të mbështesim aktivitete të tilla, gjithmonë në kuadër të mundësive buxhetore.

Lajm: Trashëgimia kulturore është një temë që duhet të trajtohet në bisedimet teknike me Serbinë, a është e përgatitur Kosova rreth kësaj teme?

Krasniqi:
Pozicioni ynë rreth kësaj teme është i qartë. Ndër kryesorët, kërkesë jona ka qenë e do të jetë që sa më parë të kthehen artefaktet që janë marrë nga shteti serb. Natyrisht, dialogu do të vazhdojë dhe presim që të ketë hapa pozitivë.

Lajm: A ka ministria projekte për përmirësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore në terren?

Krasniqi:
Sa u përket angazhimeve tona rreth trashëgimisë kulturore, kemi siguruar një fond prej 1.5 milion dollarëve nga Qeveria amerikane. Me këtë  do t'i restaurojmë gjashtë monumente të trashëgimisë kulturore.

Kemi mbështetur gërmime me karakter shpëtimi në Reshtan të komunës së Therandës. Gjetjet arkeologjike në këtë vend përbëjnë një fakt mjaft interesant për civilizimin e hershëm në Kosovë. Përveç këtyre, jemi në përfundim të dokumentit strategjik "Konservimi i integruar", i cili përbën një element mjaft të rëndësishëm edhe në vlerësimet që do të japë Raporti i Progresit për Kosovën. Po ashtu, kemi mbështetur edhe projekte të tjera në gërmime arkeologjike, intervenime emergjente për konservim.

Lajm: Ministër, a pritet të ketë ndryshime në stafin që i menaxhon  institucionet kulturore dhe të trashëgimisë kulturore dhe, po ashtu, sa pritet të rritet buxheti për MKRS-në vitin e ardhshëm?

Krasniqi: Gjithsesi ka nevojë për një reformim. Mendoj se në disa sfera ka nevojë të punohet më shumë. Natyrisht, në kuadër të kompetencave që m'i jep ligji, do t'i jap vlerësimet e mia shumë shpejt. Ndryshimet eventuale do të jenë në funksion të rritjes së efikasitetit në punë dhe arritjes së rezultateve më të mëdha.

Rreth buxhetit, kam thënë se presim që të ketë edhe një rritje, ndoshta më e madhe sesa ka qenë këtë vit. Kam besim të plotë se kjo do të ndodhë.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO