Mitrovica, e meriton një vëmendje të veçantë

11.01.2012

nga M-Magazine E martë, 10 Janar 2012 11:22

Mitrovicë  - Për të arriturat e këtijë viti në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve , M-Magazine bëri një intervistë eksluzive me Ministrin e  MKRS-së Memli Krasniqi.


M-Magazine : A mund të na thoni  diçka rreth përditshmërisë së punës suaj në Ministrinë ku ju drejtoni ?
Memli Krasniqi: Një ditë e imja e punës, shpesh herë përfshirë edhe ditët e fundjavës, fillon herët në mëngjes me mbledhjet e kabinetit, ku analizojmë atë çka është kryer gjatë ditës së kaluar dhe marrim detyrat tjera. Më pas, varësisht nga agjenda, kam takime dhe vizita gjatë ditës. Zakonisht, punën në zyrë e përfundoj rreth orës 20:00.

M-Magazine: Çfarë mund të na thoni rreth aktiviteteve  tuaja në Kosovë me specifike në Mitrovicë?
Memli Krasniqi: Prej se kam marrë detyrën, kemi pasur shumë angazhime në çdo fushë, kulturë, sport, trashëgimi kulturore dhe çështje rinore. Realisht ka shumë aktivitete dhe të arritura që do të veçoja, por nga më të rëndësishmet kanë qenë rregullimi i statusit të punës dhe rritja e pagave deri në 150% për përformuesit e kulturës dhe punonjësit profesionalë të trashëgimisë kulturore. Pastaj ka qenë edhe sigurimi i një fondi prej disa milionësh për ndërtimin e gjashtë stadiumeve moderne të futbollit, në gjashtë komuna të Kosovës, e këtu padyshim që është edhe Mitrovica. Kemi siguruar një fond 1.5 milionë dollarësh për restaurim të monumenteve të trashëgimisë kulturore, e shumë punë tjera të kryera, që në fakt është dashur të kryhen shumë vjet më parë, por që fatkeqësisht nuk janë bërë.

M-Magazine:  Pasi që pozita juaj kërkon shumë punë dhe ju jeni i ngarkuar, a e vizitoni shpesh Mitrovicën, qytetin nga ju keni prejardhjen ?
Memli Krasniqi: Në fakt unë kam lindur në Prishtinë, por është e vërtetë se prejardhjen e kam nga Mitrovica dhe një pjesë e madhe e familjes sime jeton në Mitrovicë. Jo vetëm nga ky fakt por edhe për shumë arsyeje tjera, Mitrovica është një qytet që unë e pëlqej shumë dhe e vizitoj sa më shpesh që mundem, qoftë në raste të angazhimit tim si ministër apo edhe në raste jashtë detyrës sime. Mund të them se disa herë gjatë këtij viti kam qenë në Mitrovicë për të shënuar fillimin e punëve në projekte që kanë të bëjnë me kulturën, sportin, rininë dhe trashëgiminë kulturore, që kanë qenë investim direkt nga MKRS apo të ndihmuara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

M-Magazine: A ka projekte apo pritet të ketë  Ministria, lidhur me Kulturën ,Rininë, dhe Sportin, që Mitrovica të fitojë emrin e dikurshëm ,si e suksesshme me artistë dhe sportistë të famshëm si në Kosovë ashtu dhe në ish Jugosllavi?
Memli Krasniqi: Unë e kam thënë edhe në raste të tjera, që Mitrovica për shumë arsye është prioritet jo vetëm i imi si ministër por edhe i qeverisë në tërësi. Dhe besoj kjo po dëshmohet qartë këtë vit.  Dua të flas këtu vetëm për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë disa projekte milionëshe në Mitrovicë. Ndërtimin e një kompleksi sportiv, bashkëfinancim i ministrisë me Komisionin Evropian, si dhe ndërtimin e një stadiumi futbolli ndihmës në Mitrovicë. Kemi mbështetur dhjetëra aktivitete kulturore, rinore dhe sportive. Po ashtu kemi mbështetur klubet sportive, shoqata të ndryshme kulturore, ansamble, ku do veçoja ansamblin e këngëve dhe valleve nga Mitrovica. Përkrahja jonë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, pasi siç e thash Mitrovica, për shumë arsye meriton një vëmendje të veçantë nga të gjithë ne.  Nuk mund të mos e përmend faktin që qytetarët e Mitrovicës kanë një udhëheqje komunale shumë të përkushtuar, me të cilët ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, veçanërisht në fushat që i mbulojmë si ministri.

M-Magazine: Majlinda Kelmendi është një sportste e suksesshme e Kosovës, ju e keni ndihmuar. Në Mitrovicë ka telente te shumta në fushën e sportit ku me këtë rastë kemi edhe  boksieren Albulena Gubetini  nga Mitrovica që është nënkampione e Europës dhe kampione e Kosovës në këtë sport . Ç’mund të na thoni për programet e ministrise tuaj për këto talente?
Memli Krasniqi: Padyshim që Majlinda Kelmendi është krenaria e sportit tonë, por edhe unë besoj se Kosova ka edhe shumë talentë të tjerë sportiv. Ne jemi përpjekur maksimalisht që të ofrojmë përkrahje për secilin. E di që ka nevojë edhe për shumë përkrahje dhe kjo do të rritet për çdo vit. Me Ligjin e ri për Sport, që pritet të miratohet shumë shpejtë në Kuvendin e Kosovës sportistët e rinj e të talentuar do të kenë një kujdes të veçantë nga shteti. Për ta parashihen bursa dhe mbështetje të ndryshme financiare për aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

M-Magazine: Monumentet e kulturës, janë diçka shumë e rëndësishme për popullin. A ka fonde Ministria juaj që memorja Kombëtare të mos harrohet?
Memli Krasniqi: Trashëgimia kulturore është në listën time të prioriteteve kryesore. Gjatë këtij viti ne kemi bërë shumë për ta ruajtur dhe promovuar atë. Këtë vit për herë të parë, MKRS ka marrë një fond prej 1.5 milionë dollarësh nga qeveria amerikane për restaurimin e disa monumenteve të trashëgimisë kulturore në disa komuna të Kosovës dhe restaurimi tashmë ka filluar.  Përveç kësaj, ne për herë të parë kemi Listën e monumenteve të trashëgimisë që hyjnë në mbrojtje të përkohshme të shtetit. Shumë shpejtë ne do ta kemi edhe listën e përhershme. Kemi bërë intervenime emergjente në dhjetëra monumente, kemi investuar në restaurimin e galerive të skulptorëve dhe piktorëve tanë, të cilat tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Gjatë këtij viti në disa raste kemi përkrahur gërmimet arkeologjike me karakter shpëtimi, ku në to janë gjetur fakte të kohërave shumë të lashta, dhe që dëshmojnë për një civilizim të hershëm në vendin tonë

M-Magazine: A bashkëpunon ministria juaj me ministritë tjera  përkatese në vendet e rajonit?
Memli Krasniqi: Kemi kontakte të vazhdueshme më ministritë në rajon dhe kemi edhe bashkëpunim konkret në këtë drejtim. Dua të përmend këtu bashkëpunimin me Shqipërinë, ku ne kemi projekte të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore, siç janë restaurime të monumenteve të përbashkëta historike, aktivitete të përbashkëta kulturore e sportive. Edhe me vendet të tjera të rajonit kemi bashkëpunim shumë të mirë. Shumë shpejtë ne do të kemi edhe marrëveshje formale të bashkëpunimit me secilin shtet të rajonit.

M-Magazine: Cili është planifikimi juaj për aktivitetet për vitin 2012 ? A do të kete Mitrovica përparesi?
Memli Krasniqi: Ju besoj e keni parë që MKRS tashmë do të ketë një buxhet më të madh në vitin e ardhshëm dhe atë për disa milionë euro, nga rreth 13 milionë sa ka qenë këtë vit, buxheti do të jetë rreth 18 milionë euro për vitin e ardhshëm. E di që kjo ndoshta prapë se prapë nuk mjafton, sepse ka shumë kërkesa dhe nevoja reale, por gjithsesi besoj se do të arrijmë që të tejkalojmë shumë sfida që ka vendi në fushën e kulturës, sportit, trashëgimisë kulturore dhe rinisë.  Në planet tona padyshim që Mitrovica zë një vend të veçantë dhe ka shumë projekte edhe për vitin e ardhshëm.

M-Magazine: Sa do të jetë mbeshtetja financiare për OJQ-të dhe aktivitetet e tyre? A mund të përmendin prioritetet e tuaja për vitin që vjen në këtë fushë?
Memli Krasniqi: MKRS disa herë në vit mbështetë organizatat qeveritare përmes konkurseve publike për projekte. Mbështetja ka të bëjë me ide dhe projekte që janë në kuadër të objektivave tona si ministri, por edhe sfidave tona si shoqëri. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm dhe për këtë fondi do të rritet.

M-Magazine:Kur pritet që edhe Kosova të ketë   Ligj “për të drejtat autoriale”, cili është kontributi juaj ne kete aspekt?
Memli Krasniqi: Tashmë Kosova e ka Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e përafërta. Ka qenë kjo një nevojë e kahmotshme që të kemi një ligj të mirë për këtë fushë dhe më vjen mirë që ne kemi arritur që këtë ta realizojmë qysh në vitin e parë të punës sonë. MKRS përveç punës së saj si udhëheqëse në hartimin e këtij ligji do të kryejë obligimet e veta edhe gjatë zbatimit të tij. Natyrisht se për tu zbatuar si duhet ky ligj është një përgjegjësi e madhe edhe e vet komuniteteve të autorëve në muzikë, letërsi e fusha tjera. Besoj se ata do të kenë një organizim më të mirë. Besoj shumë shpejtë do të ketë hapa konkret që do ta përmirësojnë gjendjen në këtë fushë.

M-Magazine: Një pyetje paksa personale. A ndjeni nostalgji për kohën kur keni qenë një artist njohur dhe keni pasur grupin tuaj “Ritmi i Rrugës?
Memli Krasniqi: Edhe pse tashmë kanë kaluar vite që merrem me politikë dhe kam edhe përgjegjësi institucionale gjatë këtyre viteve, padyshim se kënga dhe muzika në përgjithësi mbetet një pjesë shumë e rëndësishme e jetës time dhe padyshim që ndjej tundime të momentit për të vazhduar me ketë krijimtari.

M-Magazine: Si  janë raportet tuaja  me ish kolegët tuaj këngëtarë tani që profesioni juaj ka marr kahje tjetër ?
Memli Krasniqi: Unë kam raporte shumë të mira me kolegët e mi edhe me ata që kanë një karrierë më të gjatë por, edhe me këta që janë më të ri, që kanë filluar ndoshta pasi që ne jemi tërhequr nga skena. Raportet tona janë njerëzore, kolegiale dhe miqësore para se gjithash. Por, tani edhe nga pozicioni im zyrtar si ministër konsideroj se kam edhe një përgjegjësi shtesë ndaj të gjithë krijuesve dhe përformuesve, duke përfshirë edhe njerëzit e muzikës.

M-Magazine: Që të jeni më afër lexuesit tonë  na flisni diçka rreth jetës suaj private?
Memli Krasniqi: Jetoj në Prishtinë me bashkëshorten time Melizën dhe vajzën tonë Borën. Angazhimi im në punë shpesh më bën që të mungojë pranë familjes, por mundohem që atë kohë të lirë që arrij ta kem, ta kaloj pranë tyre. Po ashtu, kam një rreth të gjerë të shoqërisë, me të cilët po ashtu mundohem që të takohem së paku gjatë vikendeve.

M-Magazine: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë  e Kosovës, përkatësisht te Mitrovicës?
Memli Krasniqi : Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë aktivë dhe të gatshëm të marrin përgjegjësi. Por gjithsesi këto angazhime të tyre duhet që të jenë të sinqerta, të pandikuara nga politika apo interesi personal dhe grupor. Vetëm kështu kërkesat dhe nevojat e tyre ata do të arrijnë t’i adresojnë dhe realizojnë si duhet. Unë kam besim në qëllimin tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO