Flet për “Epokën e re”, Memli Krasniqi

24.11.2011

Ministrinë e gjeta si degë të LDK-së

LDK-ja Ministrinë e Kulturës e ka konsideruar sikurse të ishte degë e saj, asnjëherë si institucion publik. Këtu janë instaluar në mënyrë të paligjshme njerëz partiakë, militantë e familjarë të udhëheqësve të partisë, pa e respektuar ligjin dhe pa i respektuar procedurat, jashtë çdo koncepti administrativ. Akuzat e tyre janë tendenca për ta politizuar një proces të vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë ministri. Këto janë disa nga arsyet pse ata akuzojnë. Arsyet e tjera mund t’i dinë pseudoekspertët që po dalin e po bëjnë zhurmë

Muhamet JAHIRI

Prishtinë, 6 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi, u është kundërpërgjigjur ekspertëve të Kulturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se LDK-ja po akuzon për shkak se deri më tani këtë ministri e ka shfrytëzuar si të ishte degë e vet, duke instaluar njerëz të paarsimuar, militantë e familjarë. “LDK-ja Ministrinë e Kulturës e ka konsideruar sikur të ishte degë e vet, asnjëherë si institucion publik. Këtu janë instaluar në mënyrë të paligjshme njerëz partiakë, militantë e familjarë të udhëheqësve të partisë, pa e respektuar ligjin dhe pa i respektuar procedurat, jashtë çdo koncepti administrativ. Akuzat e tyre janë tendenca për ta politizuar një proces të vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë ministri. Këto janë disa nga arsyet pse ata akuzojnë. Arsyet e tjera mund t’i dinë pseudoekspertët që po dalin e po bëjnë zhurmë”, ka thënë ministri Krasniqi, duke e akuzuar LDK-në se po e keqpërdor për qëllime partiake edhe figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova. “Ata po tregojnë mungesë të respektit për presidentin Rugova. Pyetja ime për LDK-në do të ishte: Çfarë keni bërë ju për presidentin Rugova? Çfarë ka bërë LDK-ja për Rugovën? Cilat vepra ia keni botuar deri më sot? Cilat ndere e merita ia keni bërë? Krejt çka kanë bërë me vite të tëra për presidentin Rugova, është keqpërdorimi i emrit të tij”, është shprehur Krasniqi. Ministri Krasniqi ka folur edhe për punën dhe për sfidat e ministrisë, ndërsa ka premtuar se gjatë këtij muaji do të procedohet edhe Projektligji për Sportin.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, mund të na thoni se në çfarë gjendje e keni marrë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe?
Krasniqi: Gjendja të cilën e kam gjetur Ministrinë e Kulturës nuk ka qenë aspak e mirë. Problemet kanë qenë të shumta, qoftë në kuptimin administrativ, në kuptimin e punëve të pabëra, në kuptimin e borxheve të trashëguara dhe shumë punë të tjera. Fillimisht, me gjithë stafin tim, jemi përqendruar për ngritjen e buxhetit, gjë që kemi arritur për herë të parë ta kemi një buxhet mbi 13 milionë euro, i cili do të ketë rritje edhe në vitet e ardhshme, siç e kemi paraparë edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve. Më pas është dashtë të merremi me përshpejtimin e punës në projektligjet, të cilat janë pjesë e strategjisë legjislative të Qeverisë, po ashtu t’i trajtojmë çështjet të cilat nuk janë trajtuar me vite të tëra. Para së gjithash, ka qenë çështja e rregullimit të statusit juridik financiar të krijuesve dhe performuesve të artit, kulturës si dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore. Jemi marrë edhe me çështje të tjera si në fushën e sportit e të  rinisë. Pra, çështje të cilat nuk janë bërë e me të cilat është dashur të merremi brenda një periudhe të shkurtër. Brenda kësaj periudhe, siç edhe i kemi publikuar të arriturat e punës sonë, kemi arritur ta rregullojmë statusin e këtyre punëtorëve, të cilët për më shumë se dhjetë vjet kanë punuar me kontratë mbi vepër, e të cilët kanë pasur një kompensim financiar joadekuat. Po ashtu, në fushën e sportit jemi mundur t’i trajtojmë problemet akute dhe të merremi edhe me çështjet të cilat kanë të bëjnë me ndërkombëtarizimin e sportit dhe për ato federata të cilat kanë qenë në rrugë të mirë dhe afër anëtarësimit. Na vjen mirë që tashmë jemi të pranuar ndërkombëtarisht edhe në Federatën e Shigjetarisë. Jemi marrë edhe me çështjen e trashëgimisë kulturore, duke ndërmarrë hapa konkretë, siç është rasti i gërmimeve arkeologjike me karakter shpëtimi në Rreshtan të Suharekës, i cili është i pari i këtij lloji. Kemi arritur të thithim donacione, 1.5 milion dollarë nga Qeveria amerikane për trajtimin e gjashtë tërësive të trashëgimisë kulturore.

“Epoka e re”: Deklaruat se keni gjetur mjaft borxhe. Për çfarë borxhesh bëhet fjalë?
Krasniqi: Pas miratimit të buxhetit kemi kuptuar se çfarë obligimesh financiare kemi, për të cilat nuk jemi njoftuar në fillim. Shembull kanë qenë rreth 800 mijë euro shpenzime shtesë për tri palestra sportive, sepse projekti origjinal ka qenë gabim. Ndryshimi në këtë projekt neve na ka shpenzuar jashtëzakonisht një sasi të madhe. Pastaj ka pasur projekte të miratuara nga linja e subvencioneve në fushën e kulturës, të cilat kanë mbetur pa u paguar vitin e kaluar, apo memorandume mirëkuptimi me institucione të tjera, ku ministria merr obligim për t’i ndarë fonde e punët nuk janë kryer. Kështu që, krejt këto obligime na janë transferuar neve në këtë vit.

“Epoka e re”: Është dashtë të kryhen më herët këto obligime?
Krasniqi: Absolutisht, në çastin që janë marrë ato vendime është dashtë të kryhen, por problemi qëndron në faktin se shumica e këtyre vendimeve janë marrë në javën e fundit para se LDK-ja ta lëshojë Qeverinë, ose në kohën kur nuk ka pasur ministër në ministri.

“Epoka e re”: Konsideroni se ky veprim është i paligjshëm?
Krasniqi: Nuk më takon mua të merrem me këtë çështje, por realisht kanë qenë vendime politike, jo të bazuara në politikat programore.

LDK-ja po e mbështet paligjshmërinë e bërë me vite

“Epoka e re”: Keni premtuar se shumë shpejt ministria të cilën e drejtoni do ta procedojë Projektligjin për Sportin, sepse mungesa e një ligji të tillë po shkakton edhe pengesa për ndërkombëtarizimin e federatave të ndryshme sportive në institucionet ndërkombëtare?
Krasniqi: Projektligjet tashmë janë në fazën finale. Sipas planifikimeve tona, deri në fund të muajit korrik të gjitha do të miratohen në Qeveri, përveç Ligjit për Bibliotekat dhe Ligjit për Kinematografinë, të cilët kanë qenë në një fazë të hershme të punës. Edhe Ligji për Sportin është në fazën finale. Grupi Punues është duke i bërë përmirësimet e fundit dhe shpresoj se gjatë muajit korrik do të miratohet në Qeveri për t’u proceduar në Kuvend për miratim të mëtutjeshëm. Kërkesë e imja ka qenë që ligjet të bëhen konform kërkesave dhe nevojave të vendit, e jo të bëhen kopje siç ka qenë rasti për ligje të caktuara nga vendet e tjera, të cilat do të hasnin në problem në zbatim, qoftë se nuk i përshtaten situatës sonë, qoftë pse ngërthejnë në vetë implikime të mëdha financiare, të cilat nuk mund të mbulohen nga buxheti i Kosovës.

“Epoka e re”: Z. ministër, javët e fundit LDK-ja i ka krijuar disa grupe të ekspertëve, ndër ta edhe atë për kulturë, anëtarët e të cilit kanë hedhur një varg akuzash ndaj jush. Një ndër akuzat e fundit ka qenë se kjo ministri udhëhiqet nga njerëzit të cilët nuk e njohin kulturën.
Krasniqi: E para, është për keqardhje përbërja e këtij grupi, i ashtuquajtur i ekspertëve. Me të vërtetë është e dhimbshme nëse ekspertët kryesorë të LDK-së, për fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë ata njerëz të cilët po i shohim në konferenca të ndryshme dhe që po identifikohen me deklarata të ndryshme për shtyp. Vërtet është për keqardhje nëse partia më e madhe opozitare nuk ka njerëz të kualifikuar për këtë fushë dhe ka mbetur në mëshirën e këtyre personave të cilët nuk kanë bërë asgjë as për kulturë, as për rini e as për sport.
E dyta, që po ashtu është befasuese, dhjetë vjet pasi e ka menaxhuar kulturën dhe e ka degjeneruar deri në këtë masë që sot e kemi, LDK-së i ka ra ndërmend të flasë për kulturë. Për dhjetë vjet realisht nuk ka bërë asgjë për kulturën, as për sportin e as për trashëgiminë kulturore, ndërsa tash që është në opozitë çuditshëm i është kujtuar se ka kulturë në Kosovë! Kjo tregon më së pari për një mungesë të parimeve, por edhe për joseriozitet të skajshëm.
E treta, që është shumë çuditshme, është se ne me të vërtetë do të mirëpritnim një kritikë parimore, një kritikë për përmirësim të situatës, kur e shohim se kjo parti që e ka udhëhequr kulturën dhe, siç është dëshmuar që katër muaj që ne jemi këtu, nuk ka pasur asnjë lloj konsiderate për respektimin e ligjeve etj. etj., dhe në vend se të kërkojë falje për gjendjen në të cilën e ka sjellë kulturën, LDK po i mbështet pikërisht ato paligjshmëri që i ka bërë me vite të tëra. Për mua është e dhimbshme që ata njerëz të saj kanë kurajë të dalin dhe të thonë: “Se edhe pse i kemi shkelur ligjet, kemi bërë mirë dhe se është mirë të të shkelen ligjet”. Esenca e deklaratave të tyre është se: të gjitha kritikat në radhë të parë janë të pavërteta, se janë të paargumentuara, se janë krejt politike.
Çështjet të cilat ata i kanë ngritur janë çështje me të cilat realisht jemi marrë për ta përmirësuar paligjshmërinë të cilën ata e kanë instaluar në Ministrinë e Kulturës. Ndërsa tash, në vend se të heshtin dhe të thonë se “mirë që po rregullohen gjërat e, ‘inshallah’, nuk na i përmendin emrat për të gjitha të zezat që i kemi bërë”, ata dalin dhe më shumë zhurmë politike, pothuajse çdo ditë me nga një konferencë apo me nga një komunikatë, e mbrojnë paligjshmërinë që e kanë bërë me vite të tëra. Kjo tregon se qasja e tyre nuk është serioze. Por, ndoshta, është marrje e obligimeve ndaj shefave të tyre partiakë për të dalë sa për sy e faqe.

Të ashtuquajturit ekspertë po i mbrojnë interesat e shefave

“Epoka e re”: Besoni se të gjitha akuzat e ekspertëve të LDK-së po bëhen sa për t’i mbrojtur interesat apo favoret e caktuara?
Krasniqi: Ne të gjithë e dimë, e di edhe opinioni, se Ministria e Kulturës nga fillimi e deri më tani është menaxhuar nga LDK-ja, se kjo ministri është trajtuar fatkeqësisht sikurse të ishte degë e saj. Normalisht se këtu ka instaluar njerëz politikë, familjarë të vet, aktivistë, militantë të partisë, shumica prej të cilëve nuk kanë qenë as të kualifikuar, as adekuatë për t’i marrë ato përgjegjësi.
Duke i zbatuar krejtësisht aspektet ligjore e profesionale, hapat që janë ndërmarrë në këtë ministri janë hapa të bazuar në ligj. Asnjë hap nuk është marrë pa u kërkuar edhe opinionet e zyrave ligjore për çështjet të cilat janë gjetur, si shkelje të mundshme ligjore. Tek kur është konfirmuar, ta zëmë, vazhdimi i kontratave për disa drejtues institucionesh se kanë qenë krejt të paligjshme, atëherë janë ndërmarrë hapa për ta korrektuar paligjshmërinë që e ka instaluar LDK-ja.
Normalisht, të ashtuquajturit ekspertë me siguri se janë nën presionin e shefave të tyre për të dalë dhe për të bërë zhurmë sa për sy e faqe. Por, është e dhimbshme që dikush ka kurajë të dalë publikisht e ta mbrojë shkeljen e ligjit në të kaluarën dhe të evokojë për shkeljen e ligjit edhe në të tashmen.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, ka pasur reagime ndaj Ministrisë së Kulturës edhe për hapjen e disa konkurseve për disa drejtorë. Është bërë ndonjë parregullsi me hapjen e konkurseve?
Krasniqi: Absolutisht. Të paligjshme kanë qenë vazhdimet e kontratave të disa drejtuesve të cilat janë bërë duke u bazuar në vlerësimet e drejtorit të Departamentit të Kulturës, gjë që nuk parashihet me ligj, sepse drejtuesit e institucioneve të kulturës nuk janë shërbyes civilë, por janë udhëheqës të institucioneve publike të parapara me ligje të caktuara. Konkurset të cilat janë shpallur janë për drejtorin e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, Filarmonisë së Kosovës dhe për drejtorin Artistik të Teatrit të Kosovës. Në radhë të parë, drejtorit i ka kaluar mandati qysh vitin e kaluar. Këtu, në këtë ministri, para fundit të vitit ia kanë vazhduar kontratën pa hapur konkurs, ndërsa ligji parasheh saktë se drejtori i QKK-së zgjidhet me konkurs, dhe se Këshilli Drejtues i rekomandon ministrit dy persona nga më të mirët për ta zgjedhur njërin. Këtu lëre që nuk ka ndodhur të sillen dy persona, por s’ka pasur as konkurs, as vlerësim e asgjë. Thjesht, ia kanë vazhduar kontratën bazuar mbi vlerësimin e drejtorit të Kulturës, i cili nuk ka të drejtë ta bëjë atë vlerësim. E njëjta gjë ka ndodhur me Filarmoninë e Kosovës, ndërsa te drejtori artistik i Teatrit, për dallim nga të cekurat më lart, është çështje krejt tjetër sepse, thjesht, i skadon mandati gjatë këtij muaji, dhe procedurat është dashtë të ndiqen në mënyrë që të mos ketë vakum pas kalimit të mandatit. Është absurde kur kam dëgjuar dhe këtë gjë e thonë prapë, se vetëm me vlerësim mund t’u vazhdohet mandati. Ata kanë inkonsistencë të plotë me deklaratat e tyre, sepse për drejtorin e QKK-së dhe Filarmonisë thonë se është krejt në rregull, se vlerësimin ia ka bërë drejtori i Kulturës, ndërsa për drejtorin artistik të Teatrit thonë se vlerësimin ia ka bërë Këshilli dhe duhet t’i vazhdohet. Pra, këto gjëra janë të kundërta me ligjin. Thjesht, këto akuza, nga këta të quajtur “ekspertë”, janë joserioze, joprofesionale dhe është e pabesueshme se si mundohen t’i arsyetojnë shkeljet.

LDK-ja s’ka bërë asgjë për Rugovën

“Epoka e re”: Z. ministër, ekspertët e LKD-së janë shprehur të shqetësuar edhe për trajtimin që po ia bëni figurës ish-presidentit Ibrahim Rugova. Çka ka të vërtetë këtu?
Krasniqi: Ata po keqpërdorim figurën e rëndësishme politike për konsum ditor politik. Ata me këtë çështje e tregojnë mungesën e respektit për presidentin Rugova. Pyetja ime për LDK-në do të ishte: Çfarë keni bërë ju për presidentin Rugova si Lidhje Demokratike? Çfarë ka bërë LDK-ja për Rugovën? Cilat vepra ia keni botuar deri më sot? Cilat ndere e merita ia keni bërë? Krejt çka ata kanë bërë me vite të tëra për presidentin Rugova është që e kanë keqpërdor emrin e tij. Po e marr vetëm një shembull: Teatri i Operës dhe Baletit ekziston si ide prej, së paku, vitit 2005, dhe e ka emrin e presidentit Rugova, ndërsa projekti as që është në fazën fillestare. Pra, kanë kaluar mbi pesë vjet. Në çdo vit, sipas tyre, është paraparë që ministria t’i japë nga një milion euro për kryerjen e punimeve, e kostoja totale e projektit është mbi 30 milionë. Dmth., nëse respekti i tyre për presidentin Rugova është të pritet 30 vjet për ta ndërtuar Teatrin e Operës dhe Baletit që mban emrin e tij, kjo tregon më së miri se sa të sinqertë janë ata në këtë çështje.
Më tutje, tendenca për të bërë presion publik dhe politik, duke u thirrur në mospërfshirjen e një propozim libri, është një flluskë sapuni për konsum ditor sepse, po e përsëris, se ata, po ta kishin respektin e vërtetë për presidentin Rugova, besoj se moti do t’ia kishin botuar bibliografinë. Megjithëse, ende ajo listë që ka propozuar Këshilli i Librit nuk është finale. Pra, ende nuk ka e kam marr vendimin final për një gjë të tillë. E, në çastin kur kjo listë të përfundonte, edhe do të kishte kuptim reagimi. Reagimi i tillë politik, ndaj një procesi profesionist e ndaj ekspertëve dhe profesionistëve të kulturës së atij këshilli, është komplet i pakuptimtë, joserioz dhe presion politik.

“Epoka e re”: Pse gjitha këto akuza ndaj ministrisë të cilën e drejtoni?
Krasniqi: Arsyet mund të jenë të shumta. E para, LDK-ja Ministrinë e Kulturës e ka konsideruar sikur ta kishte degë të veten dhe asnjëherë si institucion publik, i cili ka për obligim të jetë në shërbimin e përgjithshëm të interesit qytetar. E dyta, se këtu janë instaluar në mënyrë të paligjshme njerëz partiakë, militantë, familjarë të udhëheqësve të partisë, pa e respektuar ligjin dhe pa i respektuar procedurat, jashtë çdo koncepti administrativ. Kanë qenë shefa në vete. E treta, është tendencë për ta politizuar një proces të vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë ministri, ku, po them të drejtën, se kemi gjetur parregullsi të pabesueshme, si për nga rëndësia, ashtu edhe për nga numri. Këto janë disa nga arsyet. E arsyet e tjera mund t’i dinë ata pseudoekspertët që po dalin e po bëjnë zhurmë.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si po ndiheni si ministri më i kritikuar nga opozita?
Krasniqi: Po ndihem mirë, sepse kur ka kritika prej opozitës, i bie se po punojmë shumë. Opozita mund të mos pajtohet me punën që ne po bëjmë, por do të ishte krejt në rregull sikur të ofronte alternativa për proceset në të cilat kemi hyrë në Ministrinë e Kulturës. Por, ajo që është dhimbshme, është se zhurma të cilën po e bën është për ta mbrojtur paligjshmërinë të cilën e ka instaluar për vite, derisa në po përpiqemi ta kthejmë ligjin në vend ashtu siç duhet dhe siç e kemi për obligim. Përndryshe, unë e kam shprehur vizionin tim për fushat të cilat ne i mbulojmë, në çastin që mua më është besuar ky dikaster dhe do ta realizoj atë vizion. A i pëlqen opozitës apo s’i pëlqen kjo është çështje krejt tjetër. Por, përderisa ne jemi duke e respektuar ligjin 100 për qind, ne jemi në rregull. Atë që e dimë për kulturën deri më tash është se koncepti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë dekulturimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përgjithësi. Nga ajo që kemi parë deri më tani shihet qartë se këtu nuk ka pasur as koncept e as vizion, as objektiv politik. Thjesht, ka qenë një strofull i militantëve të LDK-së, që e kanë përdorur këtë ministri për t’u bërë favore njerëzve të partisë së vet.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO