GAZETA SPORT: Ministri: Moment i rëndësishëm për sportin

16.11.2011

Pas shumë vitesh pritjeje, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sport është miratuar të enjten nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa tani mbetet që një gjë të tillë ta bëjë edhe Kuvendi i Kosovës. Pak minuta pas miratimit të këtij ligji, ‘Sport’ bëri një intervistë me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Memli Krasniqi, i cili miratimin e ligjit e vlerësoi si një moment tejet të rëndësishëm për sportin tonë

Kushtrim KRASNIQI
Prishtinë, 25 gusht


Ishte bërë shumë zhurmë për Ligjin për Sport dhe atë për Sponsorizime, por i pari tashmë është pranë finalizimit të tij. Ligji për Sportin të enjten është miratuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa tash ‘topi’ ka mbetur te kuvendarët e Parlamentit të Kosovës, të cilët deri në muajin nëntor pritet ta bëjnë të plotfuqishëm. Për miratimin e këtij ligji, atë për Sponsorizime, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me themelimin e federatave të reja, flet në intervistën për “Sport”, ministri për Kulturë, Rini e Sport, Memli Krasniqi.

SPORT:
Pas një kohe të gjatë, sot (dje) u miratua Ligji për Sport nga Qeveria e Kosovës. Si e vlerësoni këtë?

KRASNIQI:
Definitivisht është një moment shumë i rëndësishëm për sportin kosovar, sepse ligji ekzistues i miratuar në vitin 2003, ka qenë me mangësi të theksuara, sepse dihet që është punuar dhe miratuar në kohën kur Kosova është administruar nga UNMIK-u dhe për arsye edhe politike, këto mangësi janë përfshirë në ligj, gjë që e kanë vështirësuar edhe avancimin e sportit dhe realisht funksionimin e shumë mekanizmave që merren me sportin, duke përfshirë edhe organizatat sportive dhe klubet e ndryshme. Tash, realisht ne edhe në të kaluarën kemi shpresuar se ky ligj do të miratohet, ndoshta pas shpalljes së pavarësisë, por që është zvarritur gjatë këtyre viteve dhe për ne ka qenë një prioritetet i madh që ta plotësojmë, ta adaptojmë sipas kërkesave dhe rekomandimeve të ekspertëve dhe njerëzve të sportit, të cilët kanë ndihmuar në miratim sa më të shpejtë. Normalisht, ne kemi pasur një grup punues qeveritar, ku janë përfshirë shumë institucione dhe përfaqësues të palëve të interesuara, si të federatave, të Komitetit Olimpik, të Ministrisë dhe ekspertë të jashtëm, të cilët kanë punuar për tekstin e fundit të projektligjit dhe kemi kërkuar nga të gjitha federatat që të dërgojnë komentet e tyre, nëse kanë ndonjë rekomandim, dhe kur i kemi mbledhur të gjitha, kemi përfunduar një tekst shumë të mirë, i cili sot është miratuar në mbledhjen e Qeverisë dhe unë besoj se në këto dy ditë do të dërgohet në Kuvend, për t’iu nënshtruar procedurës parlamentare.

Miratohet në nëntor

SPORT: Sa mund të marrë kohë, që ky ligj të miratohet në parlament?

KRASNIQI:
Realisht është çështje që varet nga parlamenti, por unë besoj që në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të kalojë leximin e parë dhe pastaj sipas procedurës parlamentare, duhet të kalojë maksimumi dy muaj në Komisionin funksional për sport, për t’u bërë amandamentimet e mundshme, por unë besoj se do të kalojnë dy muaj shtesë. Shpresoj se do të jetë i plotfuqishëm në Kuvend brenda këtij viti, diku në muajin nëntor.

SPORT: Kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, frikësohej se ky ligj do të pësojë ndryshime edhe nga Qeveria. Ka pësuar ndonjë ndryshim pas dërgimit në Qeveri?

KRASNIQI: Jo, Besimi ka qenë anëtar i grupit qeveritar, por ligji apo teksti që është miratuar sot, është ai që e ka punuar grupi qeveritar dhe nuk ka asnjë ndryshim, sipas rregullave Kuvendi ka mundësi të bëjë plotësime dhe ndryshime, por unë besoj se ligji është shumë i qartë dhe shumë i qëlluar, që nuk do të ketë nevojë për ndryshime.

SPORT: Çka përmban ky ligj dhe çfarë do të përfitojnë sportistët nga Ligji për Sport?

KRASNIQI: Ligji ka një fushëveprim mjaft të gjerë, duke përfshirë rregullimin e organizimit dhe kushtet e mënyrat e zhvillimit të veprimtarive sportive, të drejtat dhe përgjegjësitë e bartësve të këtyre veprimtarive.
Rregullon çështjet që ndërlidhen me garat sportive, financimin, mbikëqyrjen çështjet tjera që ndërlidhen me veprimtaritë sportive, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me themelim, regjistrim, menaxhim të organizatave sportive. Disa pika tejet të rëndësishme që trajtohen në këtë ligj, janë realisht avancim në krahasim me ligjin aktual dhe kanë të bëjnë me fuqizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, fuqizimin e Komitetit Paraolimpik dhe të Federatës së të Shurdhëve, dispozitat që tashmë do të krijojnë mundësinë për formimin e agjencisë anti-doping. Pastaj, krijimin dhe fuqizimin e Këshillit të Arbitrazhës Sportive dhe Gjykatës së Arbitrazhës Sportive, të cilat në të ardhmen do të definohen me akte nënligjore. Definitivisht, konsideroj se përmes akteve nënligjore tjera, ky ligj krijon mundësinë për t’u hartuar dhe miratuar, si dhe të bëhet përmirësimi i statusit të sportistit, kategorizimi i tyre, normalisht kemi krijuar edhe hapësira për të dhënë bursa olimpike, ku shpresat olimpike të Kosovës, por edhe për të ndarë mbështetje të përhershme financiare për sportistët e dalluar, në nivelin vendor dhe posaçërisht për ata që kanë pasur suksese ndërkombëtare. Edhe një çështje që duhet të thuhet përmes këtij ligji, është ashpërsuar çështja dhe dënimet dhe implikimet për akterët që bëjnë sjellje huligane, të kundërligjshme dhe që pengojnë aktivitetet sportive.

Bursat

SPORT: I përmendet bursat olimpike. Është fjala për ata që shpërblehen me medalje në Kosovë dhe garat jashtë vendit apo?

KRASNIQI: Kjo do të sqarohet me aktet nënligjore, duke u bazuar me praktikat më të mira që kanë vendet tjera në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian. Por, ideja është që bursat të jepen për shpresat olimpike, jo për ata që tash kanë marrë medalje. Ata në të ardhmen, normalisht pas pushimit të marrjes aktive me sport, besoj do të gëzojnë të drejtën për një kompensim apo mbështetje financiare të përhershme, por për shpresat olimpike, siç është rasti i Majlinda Kelmendit, edhe pse ne të gjithë e dimë se Majlinda sipas të gjitha gjasave do të ketë kuotën për Lojërat Olimpike. Por, ligjërisht tash për tash nuk është e mundshme që shteti ta subvencionojë me një bursë, siç bëhet në vendet tjera. Bursat olimpike do të jenë për talentët e jashtëzakonshëm që do t’i ketë Kosova në sportet e caktuara olimpike, të cilët kanë mundësi për ta përfaqësuar vendin tonë në Lojëra Olimpike.

SPORT:
Kur do të jetë gati Ligji për Sponsorizim?

KRASNIQI: Jemi duke punuar te Ligji për Sponsorizim. Unë kam thënë edhe më herët, asnjëherë askush nuk ka qenë i sinqertë në opinionin publik. Miratimi i tij është punë shumë i vështirë, sepse ka implikime financiare dhe të gjitha draftet që kanë qenë më herët në Ministri, realisht kanë qenë tekste të zbrazura, ku kanë folur për shumë çështje, por jo edhe për atë më të rëndësishmen, lehtësimet financiare për sponsorizuesit. Ky ka qenë një absurditet. Unë edhe në vitin 2008 kam planifikuar të miratohet ky vendim, kam qenë vetë në Komisionin për Kulturë, Rini e Sport, ku kam organizuar një dëgjim publik dhe kam kërkuar që të kthehet Ligji për Punim, sepse nuk ka pasur absolutisht asnjë lehtësim. Edhe në vitin 2011, kur ne kemi ardhur këtu, kemi gjetur të njëjtin draft, që do të thotë se për tri vjet asgjë nuk është bërë. Ne tashmë i kemi dhënë propozimet tona. Unë besoj që do ta kemi mirëkuptimin e Qeverisë, por edhe të Ministrisë së Financave, sepse disa herë kemi biseduar me ministrin Bedri Hamza, për të gjetur formën më të mirë, të fillimit të implementimit të këtij ligji. Unë jam i bindur se gjatë muajit shtator do ta kemi draftin final, sepse besoj që në dy javët e ardhshme ne do të vijmë deri te një marrëveshje, e cila do ta ndihmojë shumë fushën e sportit. Normalisht do të jetë edhe e përballueshme për buxhetin e Kosovës sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve.

Pritet themelimi i shumë federatave

SPORT:
Të mërkurën, Federata e Minigolfit, pas më pak se një muaji formim u pranua me të drejta të kushtëzuara në Federatën Botërore të Minigolfit. A ka sinjale për formimin edhe të federatave tjera, të cilat mund të anëtarësohen në mekanizmat ndërkombëtarë?

KRASNIQI: Kemi disa projekte interesante, në të cilat jemi duke punuar, si krijimi i kushteve për pjesëmarrjen e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike 2012. Bashkë me KOK-un, jemi duke punuar në themelimin e disa federatave të reja për sporte olimpike. Minigolfi edhe pse nuk është sport olimpik, është anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare, me disa limitime të vogla. Presim shumë shpejt ta kemi funksionale edhe Federatën e Lundrimit, që për herë të parë do të themelohet dhe është sport olimpik. Nuk do të jetë një federatë vetëm në letër, por do të jetë funksionale me njerëz entuziastë që e duan ujin dhe që do të kenë mjete për këtë sport. Besoj se menjëherë pas përmbushjes së kushteve do të bëhet aplikimi në Federatën Ndërkombëtare. Ata gjatë nëntorit do të kenë Kongresin e tyre të rregullt, ku do ta shqyrtojnë rastin e Federatës sonë të Lundrimit. Unë personalisht jam marrë me këtë çështje në proces lobues, që lundrimi të pranohet. Por, ka edhe disa sporte tjera, në të cilat jemi të angazhuar me KOK-un.

SPORT:
Cilat janë këto sporte tjera, të cilat pritet të themelohen?

KRASNIQI: Janë disa sporte që te ne kanë ekzistuar më parë, si p.sh. Federata e Kalërimit, besoj se ata e kanë një rast të mirë, por duhet t’u ndihmojmë në kuptimin tekniko-administrativ. Pastaj është Federata e Kanusë, për të cilën ka entuziastë në Kosovë, por që nuk janë të pranuar. Është sport olimpik. Pritet të themelohet edhe Pentathloni dhe gjimnastika. Ne po punojmë në kuptimin strategjik, të cilat janë federata olimpike dhe Federatat e tyre Ndërkombëtare kanë Kongreset e tyre në periudhën e ardhshme gjashtëmujore, në mënyrë që ne ta dimë saktë a do të kemi pesë federata ndërkombëtare, për të bërë kërkesën për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Çka përmban Ligji për Sport?

Fuqizimi i Komitetit Olimpik të Kosovës
Formimi i Agjencisë Antidoping
Fuqizimi i Komitetit Paraolimpik, si dhe i Federatës së të Shurdhëve
Fuqizimi dhe definimi i Këshillimit të Arbitrazhës Sportive dhe i Gjykatës së Arbitrazhës Sportive
Përmirësimi esencial i statusit të sportistit dhe akterëve të tjerë në sport
Dhënia e bursave olimpike për shpresat olimpike
Mbështetja e përhershme financiare për sportistët e kategorizuar si sportistë të dalluar të nivelit vendor dhe veçanërisht për ata me të arritura ndërkombëtare, si dhe
Ashpërsimi i dënimeve për akterët me sjellje huligane, të cilët kundërligjshëm pengojnë aktivitetet sportive.

Prapa