GAZETA “SPORT”: Intervistë me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Memli Krasniqi

16.11.2011

Nuk mjafton vetëm kërkesa e Prishtinës

Të gjithë paraardhësit e tij premtuan se do ta hedhin në miratim Ligjin për Sport, por këto mbetën vetëm fjalë. Ai edhe sot mbeti pa u miratuar, sikurse Ligji për Sponsorizim. Ministri i tanishëm për Kulturë, Rini e Sport, Memli Krasniqi, në një intervistë për “Sport”, thotë se të dy këto ligje do të miratohen këtë vit. Ai flet edhe për kërkesën e Prishtinës, për të cilën thotë se nuk janë të informuar nga FSHF-ja, nëse kjo e fundit vërtet dëshiron të luajë ndeshjet e Kombëtares në Prishtinë. Sa i përket infrastrukturës, në tetë qendra të Kosovës do të ndërtojnë fusha ndihmëse. Beson në ardhjen e Dinamos së Zagrebit. Flet edhe për takimin me legjendën e futbollit, Franz Beckenbauer

Kushtrim KRASNIQI
Bahri REXHA

Prishtinë, 4 maj


Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga emërimi ministër për Kulturë, Rini e Sport, Memli Krasniqi vazhdimisht është duke u përballur me probleme të shumta në sport. Infrastruktura, ligji për sport, ndërkombëtarizimi dhe shumë çështje tjera, mbesin prioritet i tij gjatë mandatit katërvjeçar. Sa i përket të parës, së fundmi ka marrë një kërkesë të FC Prishtinës, për renovimin ekspres të stadiumit të kryeqytetit, në të cilin do të zhvillonte ndeshjet e “EURO 2012” Kombëtarja e Shqipërisë. Për këtë kërkesë, infrastrukturën në stadiume, Ligjin për Sport dhe atë për Sponsorizim, ndërkombëtarizimin, si dhe ardhjen e mundshme të Dinamos së Zagrebit, flet në intervistën për ‘Sport’, ish-zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi.

Kërkesa e Prishtinës

Sport: Ministër, FC Prishtina ka dërguar një kërkesë te ju dhe në institucionet tona për renovimin e stadiumit të kryeqytetit, në mënyrë që Kombëtarja e Shqipërisë të luajë takimet e mbetura për “EURO 2012” në Prishtinë. Cili është qëndrimi juaj dhe a është marrë ndonjë vendim për këtë kërkesë?

Memli Krasniqi:
Ne si Ministri nuk jemi kontaktuar nga FSHF-ja, e as FFK-ja nuk është kontaktuar nga ata, që realisht do të ishte rruga normale, pasi janë organizata homologe. Klubi Prishtina na ka dorëzuar një kërkesë, se si do të dukej stadiumi sipas UEFA-s. Realisht ne nuk e kemi askund, asnjë lloj vendimi ose konfirmimi prej FSHF-së në mënyrë zyrtare, që ata mund t’i zhvillojnë ndeshjet ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa, sa i përket renovimit të stadiumit, ne e kemi një buxhet shumë të vogël, por që realisht është më i madh se vitin e kaluar. I kemi ndarë 250 mijë euro. Kemi arritur të rrisim buxhetin për këtë vit, por këto kryesisht janë projekte, të cilat Ministria i ka nisur vitin e kaluar. Stadiumi i Prishtinës është mbështetur me një shumë të caktuar, është një projekt që është në vazhdimësi me stadiumin në Pejë. MKRS nuk ka buxhet që mund të adresojë një kërkesë të tillë.

Sport: A është arsye vetëm kjo që nuk ka kërkuar FSHF-ja nga ju, apo nuk mjafton vetëm kërkesa e dërguar te Prishtina?


Memli Krasniqi: Kjo kërkesë që ka ardhur është normalisht prej Prishtinës. Ne kemi kërkesa prej shumë klubeve, por kjo është më e veçantë, pasi po flitet për një mundësi të zhvillimit të ndeshjes me Rumaninë, pasi me Francën kemi dëgjuar se do të zhvillohet në ‘Qemal Stafa’. Por, nëse flasim konkretisht për buxhet, MKRS nuk ka buxhet fatkeqësisht, ndërsa normalisht që s’ka asnjë konfirmim prej Federatës Shqiptare.

Sport: A keni provuar ju të kontaktoni me FSHF-në, për t’u informuar më detajisht, ose edhe përmes Ministrisë së tyre?

Memli Krasniqi: Shikoni, ju e dini se edhe në Kosovë, Ministria nuk ka kompetenca menaxhuese në federata. Organizatat homologe janë federatat. Nga ajo që ne e dimë, FFK kurrfarë komunikimi nuk ka pasur, që do të ishte një vijë normale e komunikimit.

Sport: Po të bëhej ky komunikim FFK-FSHF, do të ndryshonte diçka?

Memli Krasniqi: Jo nuk ndryshon fakti. Realisht në atë që e kemi parë në dokument, FSHF-ja ka kërkuar informata se në çfarë gjendje është stadiumi. Ata nuk kanë thënë se nëse e bëni gati stadiumin, ne i zhvillojmë ndeshjet. Nuk ka një lloj të këtij konfirmimi. Unë po e llogaris që ekziston si mundësi në kuptimin teorik. Mirëpo, pa ardhur një konfirmim zyrtar, nuk mund të them që ekziston.

Sport: A është biseduar të paktën me zyrtarët e Qeverisë tonë për këtë çështje. A është shqyrtuar kjo kërkesë e Prishtinës, pasi realisht kjo shihet si një mundësi jetike?

Memli Krasniqi: Secili qytetar i Kosovës ka qejf të shohë Kombëtaren shqiptare në Kosovë. Edhe institucionet tona janë tepër të interesuara të krijojnë një mundësi të tillë, nëse një mundësi e tillë ekziston. Në asnjë rast nuk kam nevojë të them që kjo mundësi ekziston, përderisa Prishtina thotë se ekziston. Ne nuk kemi marrë asnjë konfirmim, qoftë prej Ministrisë së Kulturës e Sportit të Shqipërisë, qoftë prej Federatës së Shqipërisë, qoftë përmes klubit Prishtina, qoftë përmes FFK-së, apo edhe komunikim direkt. Nuk ka asnjë shkresë zyrtare, ku thuhet se nëse ju e bëni stadiumin me standardet e UEFA-s, ne i zhvillojmë ndeshjet. Ne e kemi një kërkesë që i është adresuar klubit Prishtina prej Federatës Shqiptare, ky pyeten për gjendjen ekzistuese të stadiumit, por realisht në mbledhjen e informatave neve nuk na është thënë që ne luajmë ndeshjet nëse plotësohen këto kushte. Një diskutim zyrtar për këtë çështje nuk mund të them që është bërë, meqenëse një kërkesë e tillë ka shkuar te Presidenca edhe te Qeveria. Besoj se edhe ata e shqyrtojnë dhe nëse e shohin të rrugës që të marrin informacione shtesë, që të komunikojnë zyrtarisht me titullarët sportivë në Shqipëri, vijmë deri te një moment dhe atëherë mund të marrim hapa tjerë. MKRS nuk ka linjë buxhetore, s’ka fonde me të cilat do të mbështeste një investim të tillë.

Infrastruktura

Sport: Meqë jemi tek infrastruktura, a ka në plan Ministria që në të ardhmen të bëhet ndonjë investim në ndonjërin nga stadiumit tona, në mënyrë që brenda 2-3 vitesh të kemi një stadium që i plotëson kriteret ndërkombëtare?

Memli Krasniqi: Ju e dini se pothuajse asnjë stadium në botë nuk ndërtohet drejtpërdrejt prej Qeverisë, me përjashtim të Shqipërisë, që po investon në një stadium të ri. Zakonisht, rruga e cila ndiqet për projektet e mëdha të infrastrukturës sportive, është përmes partneritetit publiko-privat, qoftë përmes formave të koncesionimit afatgjatë, qoftë përmes bashkëpunimeve tjera publiko-private. Ne do të përpiqemi të krijojmë mundësitë për një bashkëpunim të tillë, ku do të merrnin pjesë resurset publike. Është një çështje që është adresuar, ndoshta nuk është finalizuar, por nëse stadiumet janë prona publike, ku udhëheqin komunat, atëherë komunat duhet t’ua japin me koncesion stadiumet në periudha afatgjate, jo për 5 vjet apo 10 vjet, por për shumë vjet, së paku 30 vjet investitorëve potencialë. Ata do të investonin në këto stadiume, të cilat do t’i plotësonin standardet e UEFA-s dhe FIFA-s. Përndryshe nuk ekzistojnë mundësitë, të cilat mund të shkojnë së paku në 20 milionë euro për të ndërtuar një stadium të ri. Por, nëse flasim për infrastrukturën, duke filluar nga viti i ardhshëm, është ndërtimi i stadiumeve ndihmëse. Shpresojmë që këtë ta bëjmë në së paku tetë qendra, kjo është ideja, të cilën jemi duke e trajtuar. Në ato stadiume do të mund t’i zhvillonin stërvitjet kategoritë e ulëta, në mënyrë që barra prej stadiumeve kryesore të hiqet. Pra, qëllimi është të mos koncentrohet i gjithë aktiviteti sportiv në një fushë. Stadiumet ndihmëse janë jashtëzakonisht të domosdoshme dhe këto do të përfshihen që nga viti i ardhshëm. Po ashtu, sa i përket infrastrukturës, do të vazhdojmë edhe në palestra, ku në shumicën e komunave janë duke u zhvilluar punime, por edhe në sporte tjera, siç është tenisi, ku kemi disa projekte për ndërtimin e fushave të tenisit.

Ligji për Sport

Sport: Të gjithë paraardhësit tuaj patën deklaruar se do të bëjnë ligjin për sport, mirëpo, ai ende ka mbetur pa u miratuar në Parlament. A do të miratohet ky ligj gjatë mandatit tuaj?

Memli Krasniqi: Ligji për sport do të kryhet këtë vit. Unë jam shumë i kujdesshëm në fjalët që them. Unë më mirë preferoj të mos flas shumë sesa të mos jem i sigurt. Ne kemi të gatshëm një draft, i cili gjatë këtij muaji do të merr shqyrtimin e fundit nga një grup ndërministror për hartimin e ligjit. Dhe, më pas ai do të dërgohet, më së largu në muajin qershor për miratim në Qeveri dhe pastaj në Kuvend, ku më pas i mbetet Kuvendit ta përfshijë në agjendën e tyre të punës. Ligji për sponsorizime fatkeqësisht ende nuk është miratuar. Unë kam qenë i përfshirë në atë projektligj në pozicionin tim si deputet. Kam qenë insistues të kthehej ai ligj në përpunim, sepse ka qenë jo adekuat. Absolutisht nuk jam i kënaqur me tekstin që e kam gjetur në Ministri, sepse nuk janë shqyrtuar problemet e komunitetit të sportit, kulturës...

Sport: Do të bëhen ndryshime?

Memli Krasniqi: Absolutisht po. Nuk mundemi ta bëjmë një ligj pa e pasur një marrëveshje, sepse për të arritur një sukses me këtë projektligj për sponsorizim, duhet të kemi një takim me Ministrinë e Financave, për mënyrën e lehtësimeve që kanë bizneset favorizuese... Kështu që, gjatë këtij viti, padyshim se do ta përfundojmë, sepse është jashtëzakonisht i domosdoshëm, me shpresë që do të përfundohet në kohë të mjaftueshme që të përfshihet në procedurë parlamentare për miratim. Por, realisht, drafti si i tillë, ende është në nivelet e draftit që ka qenë para tri vitesh, që nuk e adreson fundametin e nevojës për lehtësime tatimore.

Ndërkombëtarizimi

Sport: Shumë federata kanë mbetur pa u ndërkombëtarizuar ende. Çfarë mund të bëjë Ministria në këtë drejtim?

Memli Krasniqi: Ne edhe në të kaluarën edhe tash kemi qenë pranë federatave, për t’i mbështetur ato në punën e tyre. Normalisht është KOK-u që ka një përgjegjësi më shumë. Në Doha të Katarit, më 2 maj ka përfunduar Konferenca për Sport dhe Ambient, ku kemi pasur edhe përfaqësuesin tonë. Të gjitha këto angazhime janë duke u bërë në kuadër të lobimit për ndërkombëtarizim. Ne kemi tri federata olimpike që janë të njohura ndërkombëtarisht dhe disa federata që nuk janë larg ndërkombëtarizimit. Po ashtu, Federata e Shigjetarisë po shpresojmë që në Kuvendin e ardhshëm do të marrë statusin e anëtarit. Po ashtu kemi angazhime edhe me Federatën e Hendbollit, ata tashmë gjenden në Marrakesh të Marokut, ku po mbahet Kongresi i Federatës Ndërkombëtare. Po bëjmë përpjekje që edhe ata të marrin statusin me të drejta të barabarta dhe jo të kufizuara. Veçanërisht te sportet më të mëdha kemi një kundërlobim nga ana e Serbisë dhe Rusisë. Ne jemi duke i përfshirë edhe ambasadat tona për të ndihmuar në ndërkombëtarizim. Qëllimi ynë është t’i bëjmë pesë federata, që ta plotësojmë një kusht formal për aplikim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kjo nënkupton hapjen e dyerve për ndërkombëtarizim të KON-it.

Bambi

Sport: Po kthehemi te klubet. Bambi në basketboll përbëhet nga minoriteti serb dhe Klubi i Mitrovicës, që përbëhet nga shqiptarët. Ju si ministri jeni duke e ndihmuar Bambin. A mendoni se me këtë po anashkalohen klubet tjera, si p.sh. Mitrovica, që në mungesë të 150 eurove, nuk ka udhëtuar të zhvillojë ndeshjen në Prizren?

Memli Krasniqi: Po, Bambi është më e favorizuar. Të gjithë njerëzit në Kosovë e dinë se Bambi është i favorizuar. Është ekipi i vetëm në Kosovë që përbëhet nga serbët që jetojnë në Veri të Kosovës dhe që e pranojnë Superligën e Kosovës. Padyshim që është i favorizuar. Ka qenë për disa vite dhe do të jetë edhe më tutje. Krahas kësaj, komunat mbështesin ekipet e veta. Ju e dini se në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit, duhet të formohet Komuna e Mitrovicës së Veriut. Kjo komunë nuk është krijuar, që do të thotë se ata nuk kanë as komunë për t’iu ndihmuar, derisa klubet tjera marrin ndihma nga komunat e tyre. Është e pamundshme që Ministria t’i mbështetë të gjitha klubet, sepse Ministria i mbështet federatat, iu krijon mundësi për organizimin e garave, në raste të caktuara edhe klubet. Është e vërtetë që të gjitha klubet kanë probleme, mirëpo ne po flasim për një dallim, për të cilin nuk po themi se është i drejtë, por është një ekip ekzistues dhe që përbëhet nga serbët e Kosovës dhe që e njohin Republikën e Kosovës dhe Superligën tonë. Është ndihmuar edhe prej Ministrisë së Kthimit, prej Zyrës së Kryeministrit dhe të tjerëve.

Sport: Javë më parë kemi pasur rastin e xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila ka marrë një ofertë joshëse nga Azerbajxhani. A i keni ofruar ju përkrahje financiare?

Memli Krasniqi: Majlinda Kelmendi është krenaria e sportit për secilin kosovar. Tani është shumë lart në renditje në mbledhjen e pikëve olimpike. Ne e kemi mbështetur Majlindën vazhdimisht. Oferta prej Azerbajxhanit ka qenë ofertë joshëse dhe e cila nuk mund t’i ofrohet nga MKRS-ja ose Federata e Xhudos. Unë kam takuar menaxherin e saj, kemi diskutuar dhe mendoj se tani kjo punë është kryer.

Takimi me ‘Kaiserin’

Sport: Keni pasur një takim me legjendën e futbollit, Franz Beckenbauer. Ju ka dhënë ndonjë premtim për të ndihmuar futbollin e Kosovës?

Memli Krasniqi: Për mua ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme të takoj një legjendë të gjallë të futbollit. Beckenbauer ka qenë mysafir i ish-presidentit Behxhet Pacolli. Ai sapo ishte kthyer nga takimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Porosia e tij ishte e qartë, siç ishte në deklarimin e tij zyrtar, se këtë punë ia kemi lënë UEFA-s. Pra nuk ka pasur diçka tjetër nga ai takim. FIFA ia ka bartur përgjegjësinë UEFA-s, dhe ne e dimë se pa qenë anëtarë të OKB-së, ata nuk mund të na ndihmojnë, por së bashku me FFK-në jemi duke bërë përpjekje që të marrim një leje për të na mundësuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore.

Prapa