Intervistë me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi

15.11.2011

“Po ndreqen shkeljet që janë bërë për 10 vjet”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi thotë se për 100 ditë ka arritur suksese që dikush do t’i priste të realizohen ndoshta ka fundi i mandatit. Duke u përgjigjur kritikave të LDK-së, Krasniqi thotë se në ministri nuk ka gjetur dokument, mbi bazë të të cilit themelohet Çmimi Vjetor për Kinematografi, “Bekim Fehmiu”. Sa i përket kritikave për eliminime politike dhe konkurse të paligjshme, Krasniqi thotë se vetëm po vendoset ligji dhe po ndreqen shkeljet që janë bërë qe dhjetë vjet. Artefaktet e marra padrejtësisht  nga Serbia pret që të kthehen shumë shpejtë. Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, - flet në një intervistë për “Tribuna Shqiptare” Ministri i MKRS-së, Memli Krasniqi.

Fitim GASHI
Prishtinë, 3 korrik


Kultura në Kosovë, që për shumë vite ka qenë në qendër të kritikave si pasive, sipas ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, është duke u vendosur në binarë. Ndër sukseset më të mëdha gjatë 100 ditëshit të tij ai radhit rregullimin e statusit juridik dhe financiar të krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore. Ndërsa trashëgimia kultutore mbetet ndër prioritetet kryesore të MKRS-së. Ministri Krasniqi, ka përgjigje edhe për akuzat e fundit të grupit të ekspertëve të Kulturës të LDK-së.

Tribuna: Z. Krasniqi,  si e vlerësoni punën tuaj të deritashme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (departamenti i Kulturës)?

Krasniqi: Unë besoj se ka rezultate të prekshme që janë arritur deri tash. Logjika jonë e punës është që të respektohet ligji në çdo rrethanë, t’i kthehet dinjiteti artistëve dhe kultura të jetë në duart e krijuesve dhe zhvilluesve të saj e jo shteti të dirigjojë nga lartë. Gjithsesi, një vlerësim më i saktë do të dëshiroja ta jepja atëherë kur të përfundojë ky mandat, pasi ka ende shumë sfida dhe ne po punojmë shumë që t’i tejkalojmë ato.

Tribuna: Cilat janë sukseset më të mëdha, në 100 ditëshin e punës suaj në krye të MKRS-së?

Realisht, ne në këtë 100 ditësh kemi arritur suksese që dikush do të priste që ndoshta deri ka fundi i mandatit të realizoheshin. Kur kam marrë detyrën unë dhe stafi im jemi fokusuar shumë, dhe kemi punuar deri vonë çdo ditë, që të rregullojmë statusin juridik dhe financiar të krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore. Kjo gjë është zvarritur për dhjetë vjet dhe unë ndihem jashtëzakonisht i lumtur që nuk e kemi lënë më tutje. Një çështje tjetër që po ashtu dua të përmend është edhe sportistja Majlinda Kelmendi. Si krenaria dhe përfaqësuesja jonë e denjë në botë nuk ka gjetur përkrahjen e duhur në të kaluarën. Unë jam angazhuar prej marrjes së detyrës që të sigurojmë kushtet për të dhe të mos e pranojë ofertën nga Azerbajxhani. Mendoj se fjalët e saj atë ditë në konferencë për shtyp e tregojnë më se miri rëndësinë që ka përkrahja që merr nga institucionet e tua. Unë i uroj sukses Majlindës dhe ajo vetëm sa po e vazhdon suksesin e saj me sjelljen e shumë medaljeve. Dua të dal të ligjet ku kemi punuar intensivisht dhe në shumë fusha ligjet përkatëse besoj se do t’i kemi në fuqi qysh në vitin e ardhshëm. Kemi rritur investimet për rregullimin e infrastrukturës sportive, është licencuar Federata e Sportit Shkollor, që do të ndikojë në aktivizimin e të rinjve dhe masivizimin e sportit. Dua të them se ka vullnet që të vendoset ligji dhe edhe më pak buxhet të tejkalohen sfidat.

Tribuna: Cila është gjendja aktuale e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Cilat janë veprimet tuaja konkrete në këtë drejtim?

Krasniqi: Jo vetëm në fushën e trashëgimisë kulturore ka nevojë për më shumë përmirësime. Ka shumë sfida në këtë aspekt, por unë e kam thënë se trashëgimia kulturore është një prioritet i MKRS-së. Siç e dini ne kemi përfituar këtë vit një fond prej 1.5 milion dollarësh nga qeveria amerikane për restaurimin e gjashtë monumenteve të trashëgimisë kulturore në disa komuna. Kjo ka qenë një sukses mjaftë i madh. Me lejoni t’ju njoftoj po ashtu se javën e kaluar është miratuar në mbledhje të qeverisë dokumenti strategjik “Konservimi i Integruar”. Kjo do të thotë shumë pasi është edhe pjesë e sfidave në Raportin e Progresit. Një fakt domethënës dhe konkret është edhe mbështetja e disa gërmimeve arkeologjike, do ta veçoja këtu ato me karakter shpëtimi në Reshtan të Therandës, ku janë gjetur gjetje arkeologjike që datojnë nga mijëra vjet me parë dhe dëshmojnë për një civilizim të hershëm në Kosovë. Absolutisht që po punohet edhe në segmentet tjera dhe një pasqyrë e mirë e punës në këtë drejtim do të shihet gjatë gjithë mandatit.

Tribuna: Cili është bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës me UNESCO-n dhe organizatat tjera kulturore?

Krasniqi: Ju besoj e dini se pa qenë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk mund të keni bashkëpunim të duhur me UNESCO dhe disa institucione tjera. Ne po bëjmë çmos që të shfrytëzojmë rrugë alternative që monumente të trashëgimisë kulturore dhe trashëgimia shpirtërore të futen nën mbrojtje ndërkombëtare. Gjatë vizitës sime në Shqipëri, me zyrtarë me të lartë atje kemi biseduar për kërkesën e përbashkët që Eposi i Kreshnikëve të jetë pjesë e mbrojtjes nga UNESCO. Dhe është duke u punuar në këtë drejtim.

Tribuna: A pritet ndonjë rezultat konkret në bisedimet Kosovë-Serbi, në fushën e Kulturës, përkatësisht rikthimin e artefakteve të marra padrejtësisht nga Serbia?

Krasniqi: Unë pres që të ketë sa më shpejtë rezultate konkrete. Ne e kemi hartuar strategjinë konkrete për këtë dhe është kërkesë e jona e vazhdueshme që të gjitha artefaktet, dokumentet që janë marrë nga Serbia të kthehen në Kosovë. Shpresojmë se do të ketë një lëvizje konkrete në këtë drejtim.

Tribuna: Së fundi grupi i ekspertëve të kulturës të LDK-së ka drejtuar disa kritika ndaj jush, mes tjerash, sipas tyre është edhe themelimi i një çmimi vjetor (Çmimi “Bekim Fehmiu”), i cili tashmë ekziston . Si e komentoni këtë?

Krasniqi: Unë ju them me përgjegjësi të plotë, siç e kemi thënë edhe në ditët e kaluara, se ky çmim nuk është i themeluar dhe ne këtë do ta bëjmë shumë shpejtë. Në Ministri nuk ka asnjë dokument, asnjë vendim apo rregullore mbi bazë të cilit themelohet Çmimi Vjetor për Kinematografi “Bekim Fehmiu”. Nëse për dikë diçka është e kryer vetëm me një premtim apo deklaratë, për ne është e kundërta. Ne i kemi lënë llafet anash dhe po punojmë kujdesshëm për ta themeluar këtë çmim.

Tribuna: Nga po e njëjta parti keni marrë kritika edhe për eliminim politik të udhëheqësve të departamenteve të Kulturës...?

Krasniqi: Këtu nuk po bëhet kurrfarë eliminimi politik. Këtu po vendoset ligji dhe po ndreqen shkeljet që janë bërë që dhjetë vjet. Njerëzit këtu janë emëruar në pozita udhëheqëse në administrata me vendime të paligjshme pa u respektuar institucioni i konkursit, ashtu siç e parasheh ligji. Ajo çfarë ne po bëjmë është se po i vendosim në vendin e duhur procedurat dhe proceset.

Tribuna: Cili është bashkëpunimi juaj me drejtorët e institucioneve kulturore, duke marrë parasysh se së fundi nga drejtori i Galerisë së Arteve, Fahredin Spahija, jeni kritikuar për ndërhyrje politike?

Krasniqi: Natyrisht që ato janë institucione vartëse të Ministrisë dhe për shumëçka duhet të merren rekomandimet dhe vendimet tona. Për të gjitha institucionet siç e dini ka një buxhet vjetor. Synojmë që buxhetin, vitin e ardhshëm ta rrisim për secilin institucion. Siç e thash edhe më lartë nuk ka kurrfarë ndërhyrjesh politike dhe unë disa herë në takimet që kam pasur me drejtorët e këtyre institucioneve u kam thënë atyre se nuk do të kenë kurrfarë presioni politik por njëherësh kam kërkuar edhe nga ta që të mos kenë qasje politike në punë. Thelbësorja që e kam kërkuar disa herë është respektimi i ligjit dhe asgjë tjetër. Nëse në një institucion janë shkelë ligjet dhe nuk është punuar në funksion të një menaxhimi më të mirë, atëherë ne nuk mund të rrimë duarkryq. Ligji është baza kryesore e jona.

Tribuna: Më herët keni ftuar njerëzit e kulturës që të jenë pjesë e hartimit të një dokumenti strategjik për zhvillimin e kulturës në Kosovë. A ka diçka në këtë drejtim?

Krasniqi: Po, dhe sërish dua t’i ftoj që të jenë pjesë e kësaj. Vizioni im për kulturën është që ne atë t’ua dorëzojmë njerëzve të fushës, ekspertëve, ata që merren më të çdo ditë. Shteti nuk duhet të caktojë rregulla se si të zhvillohet kultura, por vetëm duhet të jetë një lehtësues për krijuesit. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë në çdo rast dhe edhe tash po them se jemi të gatshëm që të mbështesim idetë e artistëve, të cilët e bëjnë Kosovën një vend atraktiv dhe me vlera të mëdha, që edhe do të ndikonte në përmirësimin e imazhit të vendit.

Tribuna:
Deri ku keni arritur me hartimin e projektligjeve në fushën e kulturës, dhe kur pritet miratimi i tyre në parlament, sidomos i ligjit për të drejtat autoriale?

Krasniqi: Shumë prej atyre projektligjeve janë duke u punuar në Grupet Punuese Qeveritare dhe presim që shumë shpejtë gjatë këtyre dy muajve të kalojnë për miratim në qeveri dhe shpresojmë që t’i fusim këtë vit për miratim në Kuvend në mënyrë që në janar të vitit të ardhshëm të hyjnë në fuqi. Synimi ynë është që të kemi ligje që janë të zbatueshme për rrethanat në Kosovë dhe jo të sjellim ligje që nuk mund të aplikohen.

Prapa