Fjalimi i Ministrit Krasniqi në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit

29.12.2012

Shumë të respektuar laureatë të Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit,

Të nderuar aktorë, skenaristë, regjisorë, shkrimtarë,

Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve,

Të nderuar mysafirë, artdashës, zonja dhe zotërinj,

Për mua nuk mund të kishte një përfundim më të mirë të një viti pune, se sa kjo natë, ku të gjithë ne jemi mbledhur për të nderuar artistët tanë, që me dekada të tëra na kanë dhuruar vlera kulmore artistike, duke na e begatuar jetën tonë me vlerat sublime të artit skenik. Na kanë ndihmuar që ta përjetojmë një botë më të bukur dhe një jetë me plot emocione.

Në fakt, këta artistë tanë të respektuar, vazhdojnë të na dhurojnë përjetime të bukura, edhe në ditët e sotme, sepse arti i mirëfilltë gjithmonë është aktual dhe artistët e vërtetë gjithmonë mbeten të rinj. Andaj, më lejoni që të shpreh konsideratën dhe respektin tim më të lartë, si dhe mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për punën shumëvjeçare të laureatëve tanë, në promovimin dhe avancimin e artit teatror në vendin tonë.

Dhënia e Çmimit për Vepër Jetësore është shprehje e mirënjohjes publike, e respektit për vlerat e krijuara, por edhe si kërkesë drejtuar laureatëve, që të vazhdojnë me motivim të ri, që të na ofrojnë edhe më tutje vlera artistike dhe përvojat e tyre për brezat e rinj.

Në këtë aspekt, më vjen shumë mirë që juria ka bërë një vlerësim të gjithanshëm, por aspak të lehtë, duke laureuar jo vetëm aktorë e regjisorë, por edhe kompozitor dhe dizajnues dritash. Pa dyshim, një shfaqje e mirë realizohet plotësisht vetëm përmes një bashkëveprimi koherent të të gjitha elementeve të saj.

Po ashtu, më lejoni që të shpreh një respekt të lartë për gjithë ato personalitete të shquara të teatrit të Kosovës që fizikisht më nuk janë në mesin tonë. Ne jetojmë me kujtimin për ta dhe me vlerat që ata ka kanë lënë trashëgim, e që do të jenë përherë një burim frymëzimi për gjeneratat e reja.

Të nderuar të pranishëm,

Sikur edhe shumë prej jush, unë mbaj mend si fëmijë tek kam ardhur bashkë me prindërit e mi në këtë teatër, edhe në kohë të vështira për të gjithë ne. Ardhja në teatër ishte një ceremoni, një eveniment më vete, për të cilin njerëzit përgatiteshin dhe diskutonin me ditë. Kjo sallë, madje edhe shkallët jashtë, ishin përherë plot artdashës. Teatri nuk ishte vetëm vend i shfaqjeve, por ishte një institucion i rëndësishëm në jetën e njerëzve dhe jo vetëm në mesin e elitave kulturore. Pra, edhe arti teatror ishte shprehje e aspiratave tona kombëtare dhe e ëndrrës sonë të madhe të lirisë.

Ne sot mund ta kujtojmë me nostalgji atë ndikim që kishte teatri në jetën tonë kulturore e kombëtare. Është fakt se shkëlqimin e dikurshëm nuk e kanë as shumë teatro anekënd botës, sepse njerëzimi ka ndryshuar shumë stilin e jetës, duke shpikur format më imagjinative të medies, e të cilat duke i konkurruar teatrit, e kanë shmangur paksa ndikimin e tij. Ndoshta ai ndikim i madh i teatrit nuk do të përsëritet më në atë formë dramatike, por ne duhet të punojmë më shumë që teatrin, artin në përgjithësi, ta ofrojmë më shumë me publikun. Në çfarëdo rrethane, ne do të jemi përkrahësit e përkushtuar që teatri ta realizojë misionin e vet fisnik.

Zonja dhe zotërinj,

Ne do të takohemi sërish vitet e ardhshme, për të nderuar edhe personalitete të tjera të vendit tonë që kanë dhënë kontribut shumëvjeçar për teatrin, por edhe për artet e tjera.

Kjo iniciativë jona mund të jetë e vonuar, por jam i sigurt se si standard që po e krijojmë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të japë gjithë mbështetjen e nevojshme edhe për gjeneratat e reja të artistëve që ata të kenë një ambient më të mirë për ta shprehur talentin dhe pasionin e tyre, dhe që puna e tyre të vlerësohet.

Duke ju falënderuar të gjithëve që jeni sonte këtu dhe të gjithë që po na ndjekin në transmetimin televiziv, tani, ju ftoj që të ndjekim një rrëfim në fotografi, për njërin prej emrave të mëdhenj të skenës sonë teatrore, të cilit kam nderin e veçantë t’ia ndaj Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore.

Zonja dhe zotërinj, Hadi Shehu!

Prapa